TIRANË- Nga protesta në protestë të PD, ndjekësit pakësohen gjithnjë e më shumë. Por në atë të fundit më 17 prillit, shqiptarët zgjodhën që të mos ta shikonin as në TV.
Edhe pse 90% e televizioneve transmetuan drejtpërdrejt protestën e opozitës nga fillimi në mbarim, sondazhi i Zëri i Shqiptarëve në ABC News tregoi se gati rreth 80% deklaruan se nuk e kanë parë fare.
Gazetari Fatos Mahmutaj tha se Sali Berisha është personi, i cili ka marrë peng Partinë Demokratike dhe të gjithë opozitën shqiptare. Ai u shpreh se PD po shkon drejt tkurrjes së madhe.
“Berisha me pengmarrës që i ka bërë PD dhe opozitës shqiptare, kjo e ka çuar pikiatë. Çdoherë numri i protestuesve sa vjen dhe shkon poshtë e më poshtë. Nëse thërret edhe dy apo tre protesta, nuk do t’i shkojë më njeri”, tha gazetari.
Ndryshe nga herët e tjera, policia e neutralizoi shumë shpejt ‘grupin e zjarrit’. E kjo gjë shqiptarëve u pëlqeu dhe mendojnë se drejtori i ri i policisë, Skënder Hita, e kaloi testin e molotovëve. E sikur mos të mjaftonte kjo, edhe PD vazhdon rënien madhështore, pasi vetëm 20% do t’i votonin, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot.
I pyetur për këtë, gazetari tha se arrestimi i protestuesve të dhunshëm duhej bërë më parë pasi policët nuk mund të behën tabelë qitjeje për interesin e Sali Berishës.
Arrestimi i protestuesve të dhunshëm duhet të ishte bërë më parë. Drejtori i ri i Policisë i ka thirrur mendjen, e ka parë që situata nuk mund të tolerohet. Edhe policët janë bijë nënash, janë baballarë dhe nuk mund të bëhen tabelë qitjeje, sa herë Berishës i teket për të protestuar. Arrestimi i peronave të dhunshëm është gjëja më e mirë, sepse nuk do kemi eskalim i situatës”, tha ai./abcnews.al


