U zhvillua këtë të premte, më 17 prill, protesta e radhës e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë, në vijim të aksioneve opozitare kundër qeverisë. Lidhur me këtë tubim, gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, kritikoi ashpër mënyrën e organizimit dhe qëllimin e protestave të opozitës.
Sipas Mahmutajt, protestat duhet të mbështeten mbi kauza të qarta për të tërhequr qytetarët, ndërsa akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se po organizon tubime pa një objektiv të mirëpërcaktuar dhe në funksion të interesave të ngushta politike. Ai vuri në pikëpyetje efektivitetin e protestave me pjesëmarrje të ulët, duke theksuar se me një numër të kufizuar mbështetësish nuk mund të arrihen ndryshime politike.
Gazetari ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën e zhvillimit të protestave, duke kritikuar oraret e tyre dhe duke e cilësuar si të papranueshëm përfshirjen e fëmijëve apo përballjen me forcat e rendit, të cilat sipas tij janë në krye të detyrës. Në analizën e tij, Mahmutaj theksoi se opozita duhet të fokusohet në organizimin e qytetarëve rreth çështjeve konkrete, ndërsa shtoi se aktualisht ajo duket e paqartë në drejtimin e saj politik.
“Njerëzit i nxjerr në shesh vetëm kauzat. Berisha i bën protestat natën, si punë kaçakësh. Berisha proteston një herë sa për t’u dukur, protestat zgjedh që t’i bëjë natën për të manipuluar numrin e vogël të mbështetësve. Pse me 50-60 vetë do e rrëzojë Berisha, Ramën?! Unë nuk arrij që ta konceptoj dot këtë lloj mendimi. Çfarë faji ka polici, që po bën detyrën e tij. Është një rast absurd përdorimi i fëmijëve për të mbuluar dhunën. Ndërkohë opozita e cila duhet të gjitha mundësitë për të organizuar shqiptarët në kauza, ajo ndërkohë nuk e di se ku është vetë. Berisha dhe familja e tij, protestojnë për hallet e veta. Protesta e PD, është pa kauza. Ç’kusur ka populli që t’u shkojë nga mbrapa dhe të bëhet mish për top. Berisha ushqehet vetëm me inatet e qytetarëve ndaj qeverisë”, tha Mahmutaj.


