Aksioni i Europol në dy shtete: Mal të Zi dhe Gjermani është përmbyllur me dymbëdhjetë arrestime, përfshirë edhe arrestimin e Svetisllav Fillipoviç, konsideruar si një nga kokat e karteleve ballkanike të drogës.
Gjatë aksionit janë sekuestuar edhe 4.2 tonë drogë.
Për drejtimin e kartelit të drogës, Svetisllav Fillipoviç pritet të vuaj një dënim deri në 15 vite burg dhe përveç kësaj akuzohet edhe për e tregti të paligjshme të armëve dhe materialeve shpërthyese.
Ai vjen nga Podgorica dhe është 47 vjeç, ndërsa që nga viti 2002 figuron si drejtor i dy kompanive.
Të dyja kompanitë sipas të dhënave të nxjerra nga sistemi deri më tani kanë pranuar 139 dërgesa nga 16 vende, përfshirë Ekuadorin, Ukrainën dhe Kolumbinë dhe sipas deklarimeve ka importuar banane, shalqinj, fruta të thata dhe arra.
Llogaritë e të dyja kompanive janë bllokuar.
Përveç arrestimeve në Mal të Zi, katër persona u arrestuan edhe në Gjermani.
Sipas deklaratës së Europol për aksionin ky grup kriminal siguroi dhe ndërmjetësoi shitjen e kokainës dhe kanabisit, si në Mal të Zi ashtu edhe në vende të tjera, si: Gjermania, Holanda, Belgjika, Bolivia dhe Tajlanda.
Ky operacion konfirmon se, pavarësisht goditjeve të shkaktuara nga operacionet e mëparshme, grupet ballkanike nuk janë zhdukur, por vazhdojnë aktivitetet e tyre.
Rreth 100 oficerë policie morën pjesë në operacionin e fundit dhe, përveç institucioneve gjermane dhe malazeze, mbështetje dhanë edhe Austria, Spanja dhe Europol-i.


