Gjykata e Posaçme ka pranuar që kërkesën e Sali Berishës që kryeministri Edi Rama të jetë dëshmitar në seancën për dosjen “Partizani”. Juristja Brizida Gjikondi e ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News tha se ky është një vendim politik, jo i mirë menduar nga gjykatësja Elsa Ulliri.
Sipas Gjikondit, referuar Kodit të Procedurës Penale titullarët si presidenti dhe kryeministri nuk thirren kurrë të dëshmojnë në gjykata, atyre iu merret dëshmia në seli.
“Familja Ulliri është shumë e lidhur me të djathtën. Ajo familje ka një lidhje shumë të fortë me Partinë Demokratike. Unë mendoj që thirrja e Edi Ramës për të dëshmuar në dosjen Partizani ka qenë një sfidë politike e zonjës Ulliri. Edhe pse mbahet si një gjyqtare profesioniste, nga ana e korrupsionit politik mendoj që është një vendim jo i mirë menduar politik. Kjo vë në pikëpyetje anën profesionale të zonjës Ulliri. Jo vetëm që SPAK nuk e ka kërkuar, por Kodi Penal ka një specifikë kur kryeministri merret si një dëshmitar.
E para nuk shkohet në gjykatë, por dëshmia e tij merret në zyrë. Kjo vlen edhe për proces gjyqësor. E dyta, gjyqtarja e di shumë mirë që Rama kur është bërë ky akt ka qenë kryetar bashkie, në këtë rast është përdorur nga zonja Ullir, sepse Rama ka folur me akt administrativ. Për më tepër që SPAK nuk ka kërkuar që ta thërrasë Ramën për këtë akt. Balla është kallëzuesi dhe i takon që të jetë dëshmitar. Për Berishën është qesharake dhe e shëmtuar që ngre këtë eufori”, tha Gjikondi.


