TIRANË- Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ka arritur një progres të shpejtë në procesin e integrimit europian, duke hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimi Evropian brenda një periudhe rekord prej 11 muajsh.
Në fjalën e tij, Rama kujtoi se në të kaluarën Shqipërisë i refuzohej vazhdimisht hapja e negociatave, ndërsa sot vendi ka arritur të përmbushë kushtet për të ecur përpara me ritme të shpejta.
Ai e krahasoi këtë rrugëtim me përvojën e emigrantëve shqiptarë në fillimet e tyre jashtë vendit, të cilët përballeshin me refuzim dhe mungesë vlerësimi, por vijonin me këmbëngulje derisa u jepej mundësia.
Sipas Ramës, vendosmëria e Shqipërisë për të mos u dorëzuar dhe për të qenë e përgatitur në momentin e duhur bëri të mundur hapjen e kapitujve më shpejt se çdo vend tjetër në procesin e anëtarësimit në BE.
“Atëherë Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim ne BE, sot ne i kemi çelur të gjithë kapituj dhe e kemi bërë këtë në kohë rekord për vetëm 11 muaj, sepse njësoj si ju kur ju mbyllej dera në fytyrë nga ato hapat e para në rrugët e botës dhe kur askush nuk kishte kohë, respekt, besim dhe s’kishte as vëmendje për të dëgjuar dhe kuptuar se sa vlenit, por ju këmbëngulnit dhe pasi shkonit në darkë fshinit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshin në mëngjes për të qenë gati për derën që të hapej, dhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati kur dera u hap dhe për këtë arsye hapi kapitujt më shpejt se çdo vend tjetër në rrugën e anëtarësimit përpara saj.”, tha kryeministri Edi Rama/abcnews.al


