Për profesorin italian Antonio Scarrelli nga Universiteti i Tuscias, vizita në Gjirokastër është shumë më tepër se një angazhim akademik. Është një kthim në qytetin ku babai i tij kaloi tri vite të jetës si ushtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai rrëfen se i ati kishte folur gjithmonë mirë për shqiptarët, pavarësisht kohës së vështirë të luftës.
“Kur u kthye nga Shqipëria, nga stacioni i trenit ai bëri 12 kilometra në këmbë deri në qytet, ndërsa ime më, bashkëshortja e tij, ishte duke e pritur. Por ai, para se ta takonte, ndaloi në kishë për të falënderuar Zotin që ishte kthyer shëndoshë e mirë pas 3 vitesh në Shqipëri. Ai ka folur gjithnjë shumë mirë për shqiptarët, pavarësisht të këqijave që kishte lufta. Në fund të fundit, ai ishte një prej atyre që u detyruan të bëhen pjesë e luftës dhe ishte njeri që nuk bënte keq. Kur erdhi në Shqipëri, ai ishte 32 vjeç dhe kishte një vajzë të vogël 2 vjeçe.”
Ndonëse nuk ka ruajtur shumë kujtime të detajuara nga rrëfimet e të atit për Shqipërinë, lumi Vjosa ishte një nga emrat që ai e përmendte shpesh. Pengu i tij sot mbetet fakti që nuk e pyeti më shumë për atë periudhë të jetës.
“Nuk kam ruajtur shumë kujtime nga babai për kohën kur ai ishte në Shqipëri, por ai më fliste vazhdimisht për lumin Vjosa. Pengu im është pikërisht fakti që nuk e kam pyetur më shumë për këtë periudhë të jetës së tij.”
Vizita e parë në Shqipëri, pak kohë pasi i ati ishte ndarë nga jeta, ishte e mbushur me mallëngjim. Në Gjirokastër ai vizitoi kazermën ku kishte jetuar babai, si edhe vende të tjera për të cilat kishte dëgjuar prej tij. Kjo është arsyeja pse, sipas tij, lidhja me Gjirokastrën është e thellë dhe thuajse atërore.
“Herën e parë që erdha në Shqipëri dhe pashë malet nga avioni, u mallëngjeva. Im atë nuk jetonte më dhe unë kam jetuar prej asaj kohe me këtë peng. Herën e parë që erdha në Gjirokastër, vizitova kazermën ku ai jetonte, si edhe vendet e tjera për të cilat kisha dëgjuar prej tij. Pashë tankun në kala, topat e Luftës së Dytë Botërore dhe, kush e di, ndoshta në njërin prej tyre është ulur dikur edhe ai. Prandaj lidhja ime me Gjirokastrën është e thellë, atërore, le të themi.”
Antonio Scarrelli shprehet se në këtë qytet ka gjetur njerëz shumë mikpritës dhe një trashëgimi unike, që sipas tij duhet ruajtur. Ai e cilëson Gjirokastrën si një nga qytetet më përfaqësuese të Shqipërisë, me një arkitekturë të veçantë që nuk duhet zëvendësuar nga modele të huaja.
“Më pëlqen të kthehem edhe sepse këtu kam gjetur njerëz shumë mikpritës. E imagjinoja Gjirokastrën si një qytet jo kaq shumë historik, ndërkohë që në të vërtetë është një ndër qytetet më përfaqësuese të Shqipërisë, krahas Beratit, me çatitë e veta karakteristike dhe arkitekturën e veçantë. Ndaj do t’u këshilloja gjirokastritëve ta ruajnë këtë veçanti dhe të mos kopjojnë modele të tjera arkitekturash. Kjo është një prirje që, në fakt, e kam vënë re edhe tek shqiptarët, sidomos tek ata që kanë emigruar dhe përpiqen të imitojnë arkitekturat zvicerane, italiane apo gjermane, ndërkohë që arkitektura juaj është e mrekullueshme dhe unike, përfaqësuese e kulturës dhe traditës suaj.”
Për profesorin italian, kjo vizitë është edhe një mënyrë për t’u rikthyer te kujtesa e të atit, në një qytet që ai e ndjen tashmë si pjesë të historisë së familjes së tij.
“Unë kam ardhur këtu për të sjellë edhe pak kulturë italiane, e cila tek unë është përzier edhe me atë shqiptare. Autori shqiptar më i lexuar prej meje është Kadareja. Një nga librat e tij që më ka tërhequr është ai që i kushtohet Dantes dhe lidhjes së Dantes me Shqipërinë, si edhe lirisë së shprehur nga Dante te “Komedia Hyjnore”, asaj lloj lirie që për shqiptarët ka qenë tepër e rëndësishme, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore dhe regjimit komunist.”


