Policia e Tiranës ka goditur një bazë armatimi në fshatin Picallë, ku mbaheshin armë zjarri me qëllim shitjen e tyre te grupet kriminale. Në pranga u vendos një 66 vjeccare, ndërsa në kërkim u shpall djali i saj Oltjan Qershori i cili poseidonte armët.
Baza e armatimit u zbulua brenda banesës së Qershorit, aty ku efektivët e komisariatit numër 1 gjetën 5 armë zjarri automatike, 1 armë zjarri pushkë, 3 armë zjarri pistoleta, 1 armë gjahu, 1 bajonetë, silenciator, uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë, si dhe rreth 900 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.
Armët u sekuestruan nga policia dhe do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertizë, me qëllim verifikimin e përdorimit të tyre në ngjarje kriminale.
Policia vijon kërkimet për kapjen e Oltjan Qershorit, si dhe për të identifikuar nëse ka apo jo persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


