Nga një qytet i vogël në veri të Shqipërisë, drejt skenës politike në Shtetet e Bashkuara. Historia e Elda Ratës është një dëshmi e gjallë se ëndrrat nuk njohin kufij. E lindur dhe e rritur në Kukës, me rrënjë nga Hasi, ajo mbërriti në SHBA si një nënë e vetme, me sfida të mëdha, por me një vendosmëri të palëkundur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Sot, Elda është juriste me formim ndërkombëtar dhe kandidate për këshillin bashkiak në Keller, Texas. Rruga e saj akademike përfshin studime në Shqipëri dhe në New York, në Pace Law School, ku ajo thelloi njohuritë në fushën juridike. Për të, rikthimi në studime ishte një mënyrë për të rikonfirmuar vlerat si intelektuale dhe për të ndërtuar një karrierë solide në një vend të ri.
Eksperienca e saj shtrihet si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, me angazhim në agjencitë e zbatimit të ligjit dhe në aspektin ligjor të zhvillimit të bizneseve në SHBA. Por përtej profesionit, Elda ka zgjedhur të hyjë në politikë për të qenë zëri i komunitetit dhe për të sjellë ndryshim real.
Ajo beson se përfaqësimi është përgjegjësi dhe se shqiptarët duhet të kontribuojnë fuqishëm në shoqërinë amerikane. Strategjia e saj është e qartë: të jetë pranë qytetarëve, të dëgjojë shqetësimet e tyre dhe të ndërtojë një marrëdhënie besimi dhe transparence.
Në fokus të programit të saj janë mbështetja për forcat e rendit, policinë, zjarrfikësit dhe stabiliteti në zhvillimin ekonomik të komunitetit. Paralelisht, Elda ka ndërtuar edhe një histori suksesi në biznes, duke bashkëthemeluar restorantin “Acquario” në Keller, një ëndërr e bërë realitet së bashku me bashkëshortin e saj dhe partnerët.
Nga takimi i parë me një misionar amerikan në vitin 1992 në Kukës, deri te kandidimi në një institucion lokal në Texas, rrugëtimi i saj është frymëzues. Sot, si nënë e dy fëmijëve dhe një profesioniste e suksesshme, Elda Rata dëshmon se “ëndrra amerikane” vazhdon të jetojë për ata që guxojnë ta ndjekin.


