Në datën 10 prill 2026, Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatëve, zhvilloi një konferencë shkencore të fokusuar në një nga parimet më të rëndësishme të së drejtës, “Ne Bis in Idem”, në kontekstin kombëtar dhe ndërkombëtar, duke vënë në pah sfidat e hasura në praktikën gjyqësore.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatëve, Maks Haxhia, theksoi se ky parim përbën një gur themeli të shtetit të së drejtës dhe një të drejtë themelore që garanton se askush nuk mund të ndiqet apo dënohet dy herë për të njëjtin fakt. Ai e cilësoi këtë konferencë si hapin e parë konkret në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional, duke nënvizuar rëndësinë e rolit të Gjykatës Kushtetuese dhe avokatëve në mbrojtjen e të drejtave themelore.
Haxhia vlerësoi gjithashtu kontributin e avokatëve shqiptarë në Itali, të cilët, sipas tij, kanë pasuruar diskutimet me përvojat më të avancuara të praktikës së kasacionit italian dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai theksoi se, ndonëse parimi “Ne Bis in Idem” mund të duket i thjeshtë në teori, zbatimi i tij në praktikë paraqet kompleksitet të lartë, sidomos në rastet kur një sjellje mund të trajtohet njëkohësisht në rrugë administrative dhe penale, apo në çështje që lidhen me ekstradimet.
Në përfundim, u theksua nevoja për identifikimin dhe adresimin e problematikave konkrete që hasen gjatë proceseve gjyqësore, me synimin për të garantuar një drejtësi efektive, duke e konsideruar këtë parim jo vetëm si një normë procedurale, por si një garanci thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të individit.
“Parimi in bis idem është gur themel i shtetit të së drejtës dhe e drejtë themelore. Askush nuk mund të ndiqet apo dënohet dy herë për të njëjtin fakt. Ky është hap i parë i marrëveshjes kuadër të nënshkruar mes institucioneve tona. Konsolidim. Roli i GJK dhe avokatëve është kyç në garantimin e të drejtave themelore.
Dëshiroj të vlerësoj edhe avokatët shqiptarë në Itali që kanë asistuar, duke pasuruar diskutimin me perspektivat më të mira të kasacionit në Itali dhe GJEDNJ. Ky parim duket i thjeshtë, por në praktikë është shumë kompleks. Duhet të evidentojmë problematikat që hasen në gjykime dhe të adresohen. Për një sjellje ka ndjekje administrative dhe penale, nga juridiksioni penal te ekstradimet. Duhet drejtësi efektive, ky parim nuk është vetëm procedural”, tha Haxhia.


