Donald Trump ka thënë se ushtria amerikane do të mbetet në Lindjen e Mesme dhe ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin, do të fillojnë të sulmet më të mëdha që janë parë ndonjëherë.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se prania ushtarake amerikane është e përshtatshme dhe e nevojshme për shkatërrimin vdekjeprurës të një armiku tashmë të degraduar në mënyrë të konsiderueshme.
Ai e përfundoi mesazhin duke thënë se Shtetet e Bashkuara po bëhen gati dhe presin me padurim pushtimin e tyre të radhës.
Deklaratat e Trump vijnë teksa armëpushimi dy javor mes Uashingtonit dhe Teheranit po kalon nëpër pasiguri të thella që në ditën e parë.
Një nga kushtet e planit 10-pikësh të publikuar nga Irani ishte largimi i forcave amerikane nga rajoni.
Por Shtëpia e Bardhë tha se plani ishte hedhur fjalë për fjalë në plehra nga Presidenti Trump” dhe ishte në thelb joserioz.
Nga ana tjetër Izraeli nisi një valë të madhe sulmesh në Liban të mërkurën, duke vrarë më shumë se 250 njerëz.
Hezbollah u kundërpërgjigj këtë të enjte duke lëshuar raketa Izraelin verior, pasi përmendi shkeljet e armëpushimit.
Si Izraeli ashtu edhe Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se Libani nuk është përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit, ndërsa Irani dhe Pakistani nuk pajtohen me deklarata të tilla.
Nisur nga ngjarjet e fundit në Liban, Irani ka përsëritur se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Amerika dhe Izraeli të ndalojnë agresionin. Megjithatë Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka pasur lëvizje në rritje në rrugën tregtare që kur u njoftua armëpushimi.
Pavarësisht situatës të rënduar në terren negociatat do të fillojnë të premten në Islamabad.
Zëvendëspresidenti JD Vance, do të drejtojë bisedimet për amerikanët dhe kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, do t’i udhëheqë ato për Iranin.


