Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, ka deklaruar nga Budapesti se SHBA ka kapacitetin të reagojë fuqishëm ndaj çdo përshkallëzimi nga Irani, duke theksuar se presidenti Donald Trump nuk dëshiron konflikt, por mbetet i gatshëm për veprim.
“Presidenti e pranon se nëse iranianët duan të shkaktojnë dhimbje, Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë të shkaktojnë dhimbje shumë, shumë më të madhe,” u shpreh Vance.
Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Budapest, ku u takua me kryeministrin hungarez Viktor Orbán përpara zgjedhjeve të rëndësishme të 12 prillit.
Vance theksoi se administrata amerikane është e përqendruar në zgjidhje diplomatike dhe se negociatat me Iranin po vazhdojnë intensivisht, pavarësisht vonesave në komunikim.
“Presidenti nuk dëshiron ta bëjë këtë. As unë nuk dua ta bëj këtë. Kjo është arsyeja pse po negociojmë kaq agresivisht, por në fund, topi është në fushën iraniane,” shtoi ai.
Sipas tij, Uashingtoni pret që brenda afatit të vendosur nga Trump të marrë një përgjigje të qartë nga pala iraniane, qoftë pozitive apo negative, duke lënë të hapur të gjitha opsionet për hapat e ardhshëm.


