Shqipëria në BE në 2030? Shumica e shqiptarëve thonë po. Sipas sondazhit “Zëri i Shqiptarëve” në Abc News, 65% e qytetarëve besojnë tek objektivi i kryeministrit Edi Rama për ta anëtarësuar vendin në union pas 4 vitesh.
Lidhur me këtë, eksperti për çështjet e integrimit, Emilio Çika deklaroi se sondazhi tregon besueshmëri të plotë.
Në një intervistë për “Newsline”, Çika u shpreh se qeveria ka vënë në lëvizje strukturat për integrimin.
Sipas tij, vendi ynë është drejtuar krah Perëndimit.
“Sondazhi tregon besueshmëri të popullit shqiptar. Edhe sondazhi, përveç orientimit politik, shpreh edhe vlerat. Vlerat e Shqipërisë janë orientuar drejt Perëndimit. Sondazhi nxjerr të dhëna që kanë të bëjnë me perceptimin. Shqipëria duhet të përqëndrohet edhe te sfidat reale. Sensibilizimi i qytetarëve, jo vetëm për përfitimet ndaj BE, por edhe për detyrimet. Këtë, kryesisht, pjesën e detyrimeve, nuk është bërë maksimumi për të orientuar qytetarët Nëse do ishte një panoramë më e detajuar, edhe të dhënat e sondazhit mund të ishin shprehur në mënyrë tjetër. Kjo nuk kundërshton vlerat perëndimore të qytetarit shqiptar. Kjo nuk është çështje vetëm e qeverisë, por edhe e politikave europiane. Jam i bindur që janë detyrat e vendosura nga Brukseli, do plotësohen në kohë. Kapitujt e bujqësisë janë ndër më të vështirat për t’u përmbushur. Megjithatë, nuk shoh ngërç. Ajo e cila Shqipëria dhe qeveria duhet të paraqesë vëmendje të shtuar, është jeta politike brenda vendit, gjetja e gjuhës së përbashkët e forcave politike. Besoj se forcat politike të vendit duhet të tregojnë shumë maturi, në objektivin e përbashkët. BE nuk funksionon në këtë model, procesi është i qartë. Është plotësimi i kritereve. Në këtë këndvështrim, Shqipëria duhet të plotësojë kriteret e BE”, theksoi ai./abcnews.al


