Një ngjarje që mund të kishte rezultuar fatale: një qen sulmon dhe kafshon një fëmijë rreth 4 vjeç në Lungomare. Fëmija është dërguar me urgjencë në spital, pasi ka marrë plagë të rënda në kokë.
Qeni është neutralizuar dhe lidhur nga punonjësit e policisë dhe kalimtarë të rastit. Ndërkohë pritet ndërhyrja e veterinerit për largimin e kafshës.
Në momentin e sulmit, fëmija ndodhej nën kujdesin e gjyshërve. Aktualisht, ajo ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve dhe është futur në sallën e operacionit.
Punëtori i cili shpëtoi fëmijën, Sejko Veliu thotë për mikrofonin e ABC News, se qeni iu turr vajzës së vogël dhe e kafshoi në kokë, sipas tij ishte një qen rruge dhe jo shtëpie.
“Ata po iknin rrugës, erdhën të dy me gjyshin dhe gjyshen. I mora u bëra një foto. Erdhi qeni, e ka kafshuar tek koka. E pashë dhe mu veshën sytë. E mora qenin dhe e lidha me zinxhir, mirë që nuk e kafshoi tek qafa se do kishte vdekur. Ishte qen rruge. Ne punojmë këtu, kjo ishte rastësi. Fëmija mund të ishte 3-4 vjeçe”, tha Sejko Veliu.
/abcnews.al


