Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu në një mesazh në rrjetin social X, u shpreh se ushtria do të vazhdojë me gjithë forcën, në të gjitha frontet, derisa kërcënimi të eliminohet dhe të arrihen të gjitha objektivat e luftës.
Ky postim vjen pas vrasjes së Majid Khadami, kreut të departamentit të inteligjencës së Gardës Revolucionare, dhe Athar Bakri, komandantit të Degës 840 të Forcës Quds, përgjegjës për sulmet kundër hebrenjve dhe izraelitëve në të gjithë botën.
“Ata që punojnë për të vrarë qytetarët tanë, ata që drejtojnë terror kundër Shtetit të Izraelit, ata që ndërtojnë boshtin iranian të së keqes, gjaku i tyre është mbi kokat e tyre. Ne veprojmë me forcë dhe vendosmëri, kundër kujtdo që përpiqet të na dëmtojë”, shtoi Netanyahu.
Irani ka refuzuar propozimin e paraqitur nga Pakistani për një armëpushim 45-ditor të luftimeve me SHBA-të, me argumentin se nevojitet paqe e përhershme.
Sipas IRNA-s, Irani nuk pajtohet me një armëpushim, por thekson “nevojën për një përfundim të përhershëm të luftës, duke respektuar konsideratat e Iranit”.
Teherani ka propozuar një plan me 10 pika, për t’i dhënë fund luftimeve, një protokoll që sipas zyrtarëve vendas do të mundësonte kalim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit dhe heqjen e sanksioneve.
Po ashtu në planin me 10 pika të Iranit, veç fundit të përhershëm të luftimeve, bën pjesë edhe rindërtimi i vendit.
Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se ditën e nesërme është afati i fundit për gjetjen e një marrëveshjeje me Iranin, për t’i dhënë fund luftës.
Reagimi i Trump erdhi pasi Irani refuzoi propozimin e Pakistanit për një armëpushim 45 ditor, me argumentin se nevojitej një paqe e përhershme.
“Nesër është afati i fundit. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Propozimi i tyre për paqe nuk është i mjaftueshëm”, deklaroi mes të tjerash Trump, teksa mbërriti në Shtëpinë e Bardhë.


