Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka folur për gazetarët gjatë eventit të Pashkëve në Shtëpinë e Bardhë, duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me tensionet me Iran dhe mundësinë e një armëpushimi.
I pyetur mbi propozimet për ndalimin e luftimeve, Trump u shpreh se ato “nuk janë mjaftueshëm të mira”, por i cilësoi si “një hap shumë të rëndësishëm përpara”. Ai shtoi se, nëse vendimi do të varej vetëm prej tij, do të vazhdonte luftën për të marrë kontrollin mbi naftën iraniane.
“Nëse do të varej nga unë, do ta merrja naftën, do të fitonim shumë para”, deklaroi ai.
Megjithatë, Trump theksoi se qytetarët amerikanë duan fundin e luftës dhe se ai synon t’i bëjë ata “të lumtur”. Presidenti amerikan konfirmoi gjithashtu se dy pilotët amerikanë të shpëtuar nga Irani janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas tij, konflikti mund të përfundojë “shumë shpejt”, nëse qeveria iraniane “bën atë që duhet të bëjë”.
/abcnews.al/


