Nuk bie shumë në sy, por është i domosdoshëm.
Ardian Ismajli pa asnjë dyshim mund të thuhet se e ka “çimentuar” veten në Serinë A, duke qenë një nga mbrojtësit më të mirë.
Futbollisti i kombëtares shqiptare e tregoi veten sërish, në fitoren tepër të rëndësishme 1-0 të Torinos në fushën e Pizës, sukses që praktikisht besohet se i ka siguruar ekipit piemontez mbijetesën në elitën italiane.
Jo vetëm kaq, por Seria A e shpalli Ismajlin si Lojtarin më të mirë të ndeshjes, diçka që ai e arrin për herë të parë, ndërsa në Itali e ka bërë tri herë Medon Berisha.
Pas sfidës, lojtari kuqezi pati një dedikim për tifozët.
“Tifozë granata, faleminderit për mbështetjen! Ju jeni numri ynë 12!”
Edhe vlerësimet e mediave italiane ishin maksimale.
“Skaj Sport” i jep notën mjaft të mirë 6.5, maksimalen për këtë ndeshje, dhe baraz me shokët e ekipit që u dalluan më shumë si Vlashiç apo Pedersen.
“La Gazeta delo Sport” po ashtu e vlerëson me 6.5, shumë pak prapa lojtarit të ndeshjes, Adams që mori 7. Komenti: Tek Toro shkëlqyen edhe Ismajli, Gineitis dhe Pedersen.
“Eurosport” i jep notën 7, duke e vlerësuar si ndër më të mirët bashkë me shënuesin e golit, Adams, e duke e cilësuar si shtyllë e vërtetë dhe lojtar që zgjidh çdo situatë!
Ismajli ka luajtur këtë sezon 22 ndeshje në Serinë A, duke dhënë një asist, e duke mbrojtur mjaft mirë, ndërsa ka pasur probleme me dëmtimet duke humbur 9 sfida.


