Pas 18 vitesh larg Shqipërisë, ish-pjesëtari i grupit të njohur “The Dreams”, Eriost Ballushi, është rikthyer dhe ka rrëfyer historinë e grupit që la gjurmë në muzikën shqiptare.
Ai tregon se gjithçka nisi në vitin 1996, kur disa djem lagjeje, mes tyre edhe Flori Mumajesi, improvizonin me muzikë dhe vendosën të krijonin një grup. Në vitin 1998 grupi mori formën zyrtare dhe filloi të merrte pjesë në festivale, ku edhe fituan çmimin e parë në një festival në Durrës me këngën “Ëndrra”.
Më pas erdhi albumi i parë “The Dreams Number 1”, me bashkëpunime me Manjola Nallbani dhe Qemal Kërtusha, ndërsa albumi i dytë “The Dreams Forever 2001” rezultoi edhe më i suksesshëm, me bashkëpunime edhe me Artjola Toska.
Në vitin 2002 u largua nga grupi Flori Mumajesi, ndërsa në vitin 2004 grupit iu bashkua Ermal Mamaqi, me të cilin realizuan albumin e radhës dhe hitin “Mos fustanin”, që këndohet ende sot.
Eriosti tregon se u largua nga Shqipëria në vitin 2008, pikërisht në kulmin e karrierës, pasi në ato vite ishte e vështirë të jetoje vetëm me muzikë dhe emigrimi ishte rruga e vetme. Sot ai punon në ndërtim dhe ka ndërtuar jetën e tij jashtë Shqipërisë.
Një moment shumë i rëndësishëm në jetën e tij ishte plotësimi i amanetit të fundit të nënës, për t’u martuar dhe për të krijuar familje. Sot ai është baba i dy fëmijëve dhe thotë se gjëja më e rëndësishme në jetë është familja dhe respekti për prindërit./abcnews.al


