Një 44-vjeçar shqiptar u arrestua në San Trovaso, në zonën e Trevisos në Itali. Gjatë një kontrolli rutinë policor, 44-vjeçari u kap me 7 kilogramë kokainë të fshehura në një çantë shpine.
Policia ndaloi makinën e tij për verifikime të zakonshme. Por sjellja e tij e nervozuar dhe përgjigjet kontradiktore ngritën menjëherë dyshime te efektivët e policisë, shkruajnë mediat italiane.
Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti një çantë shpine të vendosur mes sediljeve, brenda së cilës ndodheshin 14 pako me kokainë të pastër, secila rreth gjysmë kilogrami.
Testet e para konfirmuan se bëhej fjalë për kokainë me cilësi të lartë, e destinuar për tregun lokal, kryesisht për festat e fundjavës.
Ky konsiderohet një nga sekuestrimet më të mëdha të kryera nga policia në Treviso.


