Kanceri i zorrës së trashë po shfaqet gjithnjë e më shpesh në Shqipëri, duke zënë vendin e tretë për nga shpeshtësia e tumoreve.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë një rritje të ndjeshme të rasteve gjatë dekadës së fundit, ku nga 337 raste të regjistruara në vitin 2015, numri ka arritur në 533 në vitin 2024.
Mjekët e lidhin këtë rritje jo vetëm me faktorë të stilit të jetesës dhe ushqyerjes, por edhe me ndërgjegjësimin më të lartë të qytetarëve dhe përmirësimin e mundësive diagnostikuese në vend.
“Është fakt që në Shqipëri diagnostikohet më shumë kanceri i zorrës së trashë se më parë. Kjo lidhet me shumë faktorë, që nga kushtet mjedisore e deri te ushqyerja, por edhe me faktin që popullata është më e ndërgjegjësuar dhe kërkon ndihmë më herët”.
Shef i Shërbimit të Kirurgjisë 1 në QSUT, profesor Arvin Dibrës, tregon simptomat që duhet të na alarmojnë për të kërkuar ndihmë te mjeku specialistë.
“Shenjat e para që duhet të shqetësohemi janë gjakderdhje nga zorra e trashë, rënie në peshë, familjariteti”, tha ai.
Edhe pse rastet më të shpeshta hasen tek personat mbi 60 vjeç, mjekët paralajmërojnë se rreziku fillon të rritet që nga mosha 50-vjeçare. Në disa raste të rralla, sëmundja është evidentuar edhe tek të rinjtë.
“Le të themi se impakti më i madh është në dekadat e 6-7 e jetës edhe pse propabiliteti fillon që në dekadën e 5-të, probabiliteti relativisht i madh, dhe pastaj moshat e thyera. Kemi pasur dhe ndonjë rast 18 vjeçar të prekur”, shprehet Arvin Dibra.
Për këtë arsye, rekomandohet që qytetarët mbi moshën 50 vjeç të kryejnë kontrolle të rregullta, përfshirë skriningun dhe kolonoskopinë, si mënyra më efektive për zbulimin e hershëm dhe rritjen e mundësive për trajtim të suksesshëm.
“Diku nga mosha 50-vjeç e sipër këshillohet bërja e skrini dhe kolonoskopl”, nënvizoi ai.
Autoritetet shëndetësore bëjnë apel që kontrollet parandaluese të mos neglizhohen, pasi diagnostikimi në faza të hershme mbetet arma më e fortë në luftën kundër këtij lloji kanceri.


