SHQIPËRI- Shumë prindër nuk kanë ose kanë pak informacion rreth skoliozës, deformimit të shtyllës kurrizore në formë S, duke bërë që të neglizhojnë problemin tek fëmijët e tyre.
Kjo është vënë re gjatë programit kombëtar të depistimit në shkollat nëntëvjeçare në vend.
“Nuk kanë informacion, një ndër problemet e hasura në këtë program është informimi dhe edukimi shëndetësor i prindërve. Është mënyra e të qëndruarit tek fëmijët, do kalojë me kohën, është paraadoleshencë, i vendosin në kontekst të moshës”, tha Rolanda Merkuri, drejtoreshë e Racionalizimit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Por asimetria e shpatullave, ijeve dhe lakimi i kolonës vertebrale, konstatuar gjatë kontrolleve të kryera tek nxënës të moshës 10 deri 15 vjeç, ka bërë që mësuesit e edukimit fizik dhe mjekët e shkollave t’i referojnë shumë fëmijë për kontroll të detajuar tek specialisti.
“32 mijë fëmijë të depistuar, nga të cilët suspect janë rreth 1600 fëmijë, por kjo s’do të thotë që të gjithë këta fëmijë që janë depistuar kanë rezultuar me diagnozën e skolizës. Fëmijët suspect janë referuar te mjeku për një vizitë më të detajuar, pastaj është vendosur nëse shenjat suspect kanë qenë skoliozë ose jo. 688 fëmijë janë me konfirmim diagnoze, të cilët janë trajtuar me procedura më të lehta, fizioterapi, ndërsa 32 raste kanë kërkuar vizitë më të detajuar ose kohëzgjatje të trajtimit.”, shtoi ajo.
Skolioza që zhvillohet gjatë rritjes nuk ka shkaqe të qarta, por mjekët mendojnë se ato mund të jenë genetike ose mund të lidhen me mënyrën e qëndrimit.
“Qëndrimi gjatë në një pozicion të caktuar është shkaku kryesor. Fëmijët sot i ke gjashtë orë në shkollë, nga shkolla në after school dhe aty në karrige katër orë, pra në një limit nga 8 e mëngjesit deri në 5 pasdite fëmijën e ke në karrige, qëndrimi gjithë ditën në karrige të bën të bësh skoliozë.”, theksoi drejtuesja,
Krahas deformimit të shtyllës kurrizore, skolioza shkakton edhe probleme në funksionin e zemrës dhe mushkërive. Diagnostikimi i hershëm mundëson rikuperimin në kohë të deformimit/ abcnews.al


