Një nga drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxha, i ftuar në “Real Story” u shpreh se beson fort që Gjykata Speciale do të japë një vendim pozitiv dhe në favor të lirisë së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai u shpreh se ishte e papranueshme kërkesa e Prokurorisë Speciale, e cila kriminalizonte të gjithë idenë dhe përpjekjet për lirinë e Kosovës dhe se UÇK-në e cilësonte si ndërmarrje kriminale.
Ai u shpreh se procesi në Hagë do të mbyllet mirë, ndërsa u shpreh se kur të kthehet Thaçi dhe Veseli t’i kthehen PD duhet ta rimendojnë tërësisht se çfarë qasje duhet të ndjekë Partia Demokratike e Kosovës.
“Pa Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin, edhe Kosova do e ketë të ardhmen e vështirë, por jam i bindur se gjykata do të sjellë një vendim pozitiv dhe këta do i kthehen Kosovës. Kam qenë i tmerruar kur pashë pretendimin e Prokurorisë që kriminalizonte idenë e lirisë së Kosovës, e definonte si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Kriminalizonte çdo ide të lirisë dhe të vetë pavarësisë së Kosovës.
Jam i bindur se do të kthehen. PDK duhet të ndërtojë një model të opozitë bërjes që është jashtë modelit të kosistencës me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.
Nëse një parti bën përpjekje që ta tejkalojë realitetin aktual dhe qytetarët ta shohin si shpresë, duhet të lëvizë vendin në rrafshin e ideve përtej asaj ku jemi sot dhe gabimet që janë bërë në këto vitet e fundit është që ne jemi sjellë sikur të ishte bota jonë, bota e Albinit ka qenë një botë përjashtuese.
Ne kemi patur një kulturë politike demokratike që z.Kurti po e shndërron gjithnjë e më shumë në një sistem totalitar që znj. Osmani edhe me dekretin e saj të fundit tregoi se ka një kulturë totalitare.
Si mundet presidentja, në orën 08:00 të mëngjesit në një Republikë Parlamentare të shpërbëjë parlamentin pa patur dialog me asnjë nga partitë. Këta njerëz përkundër moshës të re e kanë një mendësi që është autoritare. Ndaj e shoh edhe kyçe si do sillet PDK si një model modern politik atlernativ.
Unë kam besim të plotë, dhe e shoh këtë mision tonin. Shoh betejën që kemi për zgjedhje si betejë se kush mund të marrë më shumë mandate po kush mund të marrë mandate që ta ruajë karakterin demokratik të vendit.
Jam i bindur se procesi në Hagë do të mbyllet mirë, por edhe nëse Thaçi, Veseli, nesër i kthehen PDK, duhet ta rimendojnë tërësisht se çfarë qasje duhet të ketë partia”, tha ai.


