Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Konflikti në Lindjen e Mesme burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë”, Sejko: Nuk ndryshon norma bazë e interesit

schedule16:16 - 25 Mars, 2026

schedule 16:16 - 25 Mars, 2026

Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Kjo u bë e ditur nga Guvernatori Gent Sejko, në një deklaratë publike. Ai u shpreh se konflikti në lindjen e Mesme është një risk për ecurinë ekonomike globale, por dhe atë shqiptare në veçanti.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar politikën monetare. Konflikti në Lindjen e Mesme risk për ecurinë ekonomike”, tha ai.

Sipas Sejkos, politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një ndikim pozitiv në stabilitetin ekonomik dhe në përmirësimin e kushteve të financimit në vend.



Ai pohoi se në skenarin bazë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen me ritme solide gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin e bankës brenda vitit 2026. Më tej, Sejko theksoi se rritja ekonomike vijon të mbështetet nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i bizneseve dhe familjeve, si dhe të ardhurat në rritje nga turizmi.

Fjala e Guvernatorit Sejko:
Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2.4% në dy muajt e parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të lehtë kundrejt tremujorit paraardhës. Kjo ecuri ishte në përputhje me pritjet tona. Ajo u diktua nga rritja e çmimeve të qirave, të disa artikujve ushqimorë, të disa artikujve të shërbimeve, si dhe stabilizimi në nivel vjetor i çmimit të energjisë elektrike për familjet.

Në aspektin makroekonomik, ecuria ende nën objektiv e inflacionit vijon të pasqyrojë nivelet e ulëta të inflacionit të importuar dhe pasojat e goditjeve pozitive të ofertës gjatë vitit 2025. Rënia e presioneve të huaja është ndikuar nga ecuria e inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe nga forcimi i kursit të këmbimit të lekut. Nga ana tjetër, presionet e brendshme mbi inflacionin kanë ardhur në rritje gjatë muajve të fundit, sikundër dëshmohet nga ecuria e inflacionit bazë dhe e atij të brendshëm. Megjithatë, kjo rritje duket se është përqendruar në segmentin e çmimit të qirave. Duke përjashtuar efektin e tyre, trendet afatmesme të çmimeve mbeten në linjë me objektivin tonë të inflacionit, si pasojë e ecurisë së qëndrueshme të kostove të punës, të marzheve të fitimit dhe të pritjeve për inflacionin.

Sipas të dhënave të Instat-it dhe projeksioneve tona, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend vlerësohet të jetë rritur rreth nivelit 3.7% gjatë vitit të shkuar. Zgjerimi i aktivitetit u mbështet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve të sektorit privat, dhe e eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ka vijuar të shfaqë një natyrë konsoliduese ndërsa eksporti i mallrave ka shënuar rënie. Ky profil kërkese ka nxitur zgjerimin e sektorëve të shërbimeve e të ndërtimit, ndërsa sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë kanë vijuar të tkurren. Informacioni i tërthortë i disponuar sugjeron për ritme dhe strukturë të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar edhe në tregun e punës. Punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 5.6% gjatë vitit 2025, paga mesatare u rrit me 8.5%, ndërsa norma e papunësisë në fund të vitit qëndroi në një nivel të ulët historik prej 8.3%. Rritja e shpejtë e pagave nuk është përcjellë e plotë në rritje të çmimeve, si pasojë e absorbimit të saj nga rritja e produktivitetit dhe reduktimi i marzhit të fitimit të bizneseve. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe mungesa e ofertës vijojnë ta mbajnë tregun e punës nën tension.

Në këndvështrimin makroekonomik, rritja ekonomike vijon të mbështetet nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i familjeve dhe bizneseve për të ardhmen, zgjerimi i të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit.

Politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol esencial në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, duke ndihmuar kontrollin e pritjeve për inflacionin dhe duke kontribuuar në përmirësimin e kushteve të financimit. Më konkretisht, lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2025 solli një ulje të mëtejshme të normave të interesit të kredive dhe u pasqyrua në një rritje të qëndrueshme e të shpejtë të saj. Po ashtu, prezenca e shtuar e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor tërhoqi një pjese të ofertës së shtuar të valutës, duke mundësuar një nivel më të qëndrueshëm të kursit të këmbimit.

Për rrjedhojë, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, bilance të shëndosha të sektorit bankar, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit.

Kushtet e favorshme të financimit janë pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej pothuaj 14% gjatë dy muajve të parë të vitit 2026, duke vijuar të shfaqë tregues të mirë cilësie, përqendrim të rritur në lekë, si dhe duke mbetur e orientuar drejt financimit të projekteve të investimit të bizneseve dhe blerjes së banesave për familjet. Rritja e kredisë bankare ka vijuar të mbështesë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat, si dhe ka mbuluar nevojat e përkohshme të tyre për likuiditet, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.

Në tërësi, zhvillimet ekonomike, monetare dhe financiare të muajve të fundit kanë qenë në linjë me pritjet tona dhe sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Për rrjedhojë, në mungesë të goditjeve të forta të ofertës, parashikimet tona të skenarit bazë tregojnë se inflacioni do të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit 2026. Po ashtu, aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të rritet me ritme solide gjatë viteve në vijim, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave.

Megjithatë, konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme janë një burim ekstrem rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ky konflikt ka sjellë një rritje të shpejtë e të fortë të çmimit të naftës dhe të produkteve të tjera energjitike në tregjet botërore. Kohëzgjatja, intensiteti dhe kanalet indirekte të transmetimit të kësaj goditjeje në ekonominë shqiptare janë të vështira për tu vlerësuar me një shkallë të pranueshme sigurie. Gjithsesi, zgjatja në kohë dhe rritja e intensitetit të këtij konflikti, mund ta shndërrojnë atë në një goditje serioze oferte, të krahasueshme me atë që pasoi fillimin e luftës në Ukrainë gjatë vitit 2022. Në ngjashmëri me këtë episod, kjo goditje do të kishte pasoja negative në inflacion dhe në rritjen ekonomike të vendit në të ardhmen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!