Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

Gjërat Tona/ Krime me porosi nga burgu. Nga vrasjet me pagesë, pengmarrjet e shpërthimet me eksploziv, te trafiku i drogës

schedule20:57 - 22 Mars, 2026

schedule 20:57 - 22 Mars, 2026

Në dukje, burgu është fundi i historisë për një kriminel.

Vendimi jepet në sallën e gjyqit, dera e qelisë mbyllet dhe drejtësia supozohet të ketë fituar.

Por në Shqipëri, për shumë vite, kjo histori nuk ka përfunduar këtu.



Sepse në disa raste, krimi nuk është ndalur pas hekurave. Ai thjesht ka ndryshuar adresë.

Nga fundi i viteve ’90 e deri sot, hetimet kanë zbuluar një fenomen shqetësues. Urdhra për vrasje, atentate me eksploziv, rrëmbime dhe trafik droge që dyshohet se janë dhënë nga brenda burgjeve.

Në disa dosje, bosët e krimit vazhdojnë të drejtojnë organizatat e tyre nga qelia.

Përmes telefonave të futur ilegalisht, përmes ndërmjetësve në liri apo përmes një rrjeti besnikësh që zbatojnë urdhrat në terren.

Nga vrasjet me pagesë të zbuluara në Shkodër, tek atentatet me tritol në Tiranë e shumë qytete të tjera.

Nga rrjetet e trafikut të drogës që shtrihen deri në Europë dhe Amerikën Latine e deri tek hetimet më të fundit të Prokurorisë.

Në të gjitha këto histori shfaqet e njëjta hije, krimi që komandohet nga qelia.

Si është e mundur që një i dënuar të vazhdojë të drejtojë organizatën e tij?

Kush janë njerëzit që zbatojnë urdhrat jashtë burgut?

Dhe sa realisht kontrollon shteti brenda mureve të burgjeve?

Kjo është historia e një fenomeni që prej më shumë se dy dekadash ngre të njëjtën pyetje: A është burgu fundi i krimit apo vetëm një zyrë tjetër nga ku ai vazhdon të drejtohet?

SI FUNKSIONON KRIMI NGA BURGU

Në shumicën e dosjeve hetimore modeli është pothuajse i njëjtë dhe tre janë shtyllat kryesorë: Komunikimi, struktura dhe aktiviteti.

Përgjithësisht komunikimi zhvillohet përmes telefonave të futur ilegalisht në burg, përmes aplikacioneve të koduara, apo dhe përmes mesazheve nga familjarët, lidhjet shoqërore, etj.

Struktura hierarkike nis nga “truri” që ndodhet në burg, ndërmjetësit nga jashtë e deri të ekzekutorët ose transportuesit. Aktivitetet më të zakonshme janë trafik droge, vrasje me pagesë, atentate e shpërthime eksplozivi, si dhe zhvatje e gjoba ndaj biznesmenëve

Që nga viti 2020, kur nisi të vihej në zbatim regjimi “41 Bis”, motivi i izolimit të disa prej të burgosurve ka qenë mbajtja e kontakteve që ata kishin me protagonistë të krimit jashtë burgut. Madje në disa prej rasteve, arsyeja e izolimit të tyre në këtë regjim ka qenë dyshimi se ata porosisnin ngjarje kriminale nga brenda qelive. Ky aktivitet ka vijuar për vite me radhë. Madje bëhet i qartë nga Prokuroria e Posaçme edhe në raportin vjetor për vitin 2025, ku theksohet se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka kërkuar që 9 të dënuar të vendosen në regjimin e posaçëm. Ndërsa nga drejtuesi i SPAK janë paraqitur 11 kërkesa të tilla, të miratuara nga ministri i Drejtësisë.

SPAK në raportin për vitin 2025

Nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme janë paraqitur 11 kërkesa për vendosjen në regjim të posaçëm për 11 të dënuar, për të cilët ministri i Drejtësisë ka vendosur miratimin e tyre. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është kërkuar vendosja në regjimin e posaçëm për 9 të dënuar, ku për 4 prej tyre Prokuroria e Posaçme ka vendosur mosfillimin e procedurës për vendosjen në regjim të posaçëm, ndërsa 5 të dënuar jemi në proces verifikimi.

Ekspozimi më i madh që shpjegonte edhe një lloj mekanizmi se si funksiononte krimi nga burgu ndodhi më 2 shkurt të vitit 2022. Një operacion i realizuar nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim edhe me atë të Tiranës dhe Korçës, goditi një grup me zyrtarë të burgjeve, të dënuar për krime të rënda dhe familjarë të tyre, që porosisnin nga qelitë futjen e drogës brenda burgjeve, por jo vetëm. Sipas hetimeve, ky bashkëpunim mes shefave të policisë së burgjeve dhe të dënuarve e paraburgosurve, i kishte kthyer qelitë në vatra të drogës dhe organizimeve të paligjshme të lojërave të fatit. Gjatë operacionit që u kodua “Trinom”, u ekzekutuan 28 urdhër arreste. Por nga ana tjetër, operacioni zbuloi se si as regjimi i posaçëm 41 Bis, që u ndërtua për të shmangur kontaktet e bosëve të krimit me grupet kriminale, të paktën në këtë hetim nuk kishte funksionuar.

Aleksandër Llanaj, i cili në atë kohë ndodhej në burgun 313 në Tiranë, i akuzuar për tri vrasje dhe që ndodhej i izoluar në 41 Bis, rezultoi se kishte thyer edhe këtë regjim. Duke korruptuar policët e burgjeve, Llanaj ka drejtuar futjen e drogës në qeli dhe është kujdesur të organizojë edhe lojërat e fatit për të burgosurit si në “313” ashtu edhe në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit ku ishte shtrirë aktiviteti i paligjshëm, si në Vlorë, Elbasan, dhe 2 burgje të sigurisë së lartë, në  burgun e Peqinit dhe të Drenovës.

Por Aleksandër Llanaj nuk ishte i vetmi, pasi edhe të dënuar të tjerë si, Gazmend Brraka, i njohur si Gaxhai, që vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Peqin, Leo Osmani dhe Delin Hajdari të dënuar për masakrën e Vlorës në 29 korrik 2019, ishin pjesë e këtij hetimi, për krime të kryera nga burgu.

Teksa prezantonte rezultatet e këtij operacioni, Ardian Çipa, i cili në atë kohë ishte drejtor i Policisë së Elbasanit, theksonte se ky grup kriminal kishte rrezikuar jo vetëm sigurinë në burgje, por edhe sigurinë kombëtare, pasi me porositë e transmetuara nga qelitë mund të kenë urdhëruar edhe vrasje që janë ende pa autorë.

Një telefon mund të jetë arma më e rrezikshme brenda burgut. Për këtë arsye, parandalimi i futjes së celularëve, apo edhe i sendeve të tjera të jashtëligjshme në burgje, u kthye në një mision kryesor për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Kontrollet në burgje

Vetëm gjatë vitit 2025 me këtë qëllim janë kryer 6567 kontrolle nga Operacionalja e Burgjeve, por dhe nga vetë IEVP-të. Ndërsa rezulton që gjatë këtij viti të jenë kapur 47 celularë gjatë kontrolleve dhe është parandaluar futja e 28 të tjerëve nga familjarët e të dënuarve, si dhe e 6 rasteve të lëndëve narkotike. Kontrolle të tilla ka pasur edhe gjatë vitit 2024, në total 5467, si rezultat e të cilave janë parandaluar futja e 12 celularëve dhe 6 rasteve të lëndëve narkotike.

E të gjithë këto të dhëna janë një tregues që flet qartë. Hekurat e qelisë, jo gjithmonë i ndajnë të dënuarit nga jeta jashtë mureve të burgut. Madje për shumë krime të rënda, që nga vrasjet, shantazhet, trafiku i drogës, sulmet me eksploziv, urdhri nuk jepet në rrugë por nga një qeli.

RRJETI I VRASËSVE ME PAGESË

Një nga rastet më tipike të krimit nga burgu është ai i zbuluar në vitin 2015. Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm krijon një rrjet vrasësish me pagesë dhe jep urdhra për atentate nga burgu.

Më 17 shkurt të vitit 2015, pas dhjetëra sulmeve me eksploziv të ndodhura në vend, Policia arriti të zbulojë dhe të arrestojë një grup personash të dyshuar si autorë të disa prej ngjarjeve.

Më shumë se një javë nga arrestimi i personave të dyshuar si vrasës me pagesë, Policia e Shtetit foli zyrtarisht për krimet që ata dyshohej të kishin kryer, duke i quajtur grup të strukturuar kriminal. Haki Çako, në atë kohë zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë shprehej se ky grup drejtohej nga burgu prej të dënuarit përjetë, Admir Tafili, i cili sipas tij kishte rolin e ndërmjetësit, pasi porositë për krimet i jepte tjetër kush.

Përveç krimeve që ishin bërë publike në media në atë kohë, të arrestuarit Alfred Qefalia, Kristi Pine dhe Aleksandër Gora, ishin paguar edhe për atentatin me eksploziv ndaj drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, Arben Sulo, ngjarje e ndodhur në Durrës, më 19 janar të vitit 2015, ku Sulo mbeti i plagosur rëndë. Po ashtu autorët ishin paguar edhe për dy ngjarje të tjera në Pogradec, të cilat nuk i kishin realizuar dot.

Haki Çako: “Është bërë e mundur zbulimi i një grupi të strukturuar kriminal, me tendencë vrasjet me pagesë me armë zjarri dhe vendosjen e lëndëve shpërthyese, eksploziv. Grupi kriminal i dokumentuar perbehet nga shtetasit: Admir Tafili, aktualisht i dënuar me burgim të përjetshëm, Alfred Qefalia, Kristi Pine, Aleksandër Gora, shtetasi A.O., shtetasi V.Z., të shpallur në kërkim”.

Grupi i vrasësve me pagesë u akuzuan edhe për vrasjen me eksploziv C4 e ndërtuesit Armando Çeka, për të cilën ishin paguar me 5 mijë euro. Kjo ngjarje ndodhi më 26 shkurt të vitit 2014 dhe u plagosën rëndë objektivi i sulmit, Çeka, juristi i tij, Julian Çela dhe truproja Artur Sharra.

Sipas vendimit të datës 20 mars 2018, të dhënë nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, Admir Tafili nga burgu i Peqinit drejtonte një grup kriminal, që përbëhej nga 10 persona. Në vendim, nënvizohet fakti se Admir Tafili me anëtarët e grupit kriminal janë njohur në burgun e Bradasheshit, ku u miqësuan dhe i premtuan njëri-tjetrit mbrojtje, deri në dhënien e jetës. Sipas gjykatës, i pandehuri Admir Tafili ishte ideuesi dhe krijuesi i grupit kriminal bashkë me kunatin e tij, Elson Merdanin dhe Kristi Pinen. Ky i fundit pas arrestimit u bë dëshmitar i drejtësisë dhe zbuloi rolet e të gjithë anëtarëve të tjerë.

Vendimi i Gjykatës

Gjatë shqyrtimit gjyqësor u provua se ndërmjet të pandehurve Admir Tafilaj, Kristi Pine, Elson Merdani (por edhe personave të tjerë në varësi të episodeve), ka pasur marrëveshje të mëparshme, ku kanë përcaktuar mënyrën se si do të funksiononte kjo marrëveshje dhe rolet që do të kishte secili në realizimin e veprave penale, fillimisht në drejtim të vrasjes për hakmarrje dhe më pas për interes. Kështu, pasi gjendej “objektivi” nga i pandehuri Admir Tafilaj (nëpërmjet lidhjeve të tij, si brenda burgut, ashtu edhe jashtë tij), i transmetohej më pas të pandehurit Elson Merdani dhe Kristi Pine për realizimin e tij.

Kristi Pine, që merrte urdhra nga burgu, nga Admir Tafili, u kthye në të penduar dhe rrëfeu disa krime. Pine tregoi se ka ekzekutuar në oborrin e shtëpisë së tij, shtetasin Ibrahim Mani. Këtë vrasje, Pine e ka kryer më 25 qershor 2014 dhe në bazë të deklarimeve ia kishte kërkuar Tafilaj ta kryente për llogari të një familje me të cilët Mani kishte hasmëri. Pas vrasjes në Shkodër, që Pine pranon se ka qenë e para në jetën e tij, atij i është kërkuar nga bashkë i pandehuri tjetër Alfred Qefalia të vrasë shtetasin Edmond Çakmashi në Shkozë të Tiranës. Për këtë vrasje, Pine thotë se ishte në dijeni edhe Admir Tafili nga burgu, i cili ka insistuar të kryente vrasjen dhe do merrte shumën prej 15 mijë eurove.

Pine i ka thënë Prokurorisë se nuk donte ta vriste por vetëm ta plagoste. Për këtë fakt, ai ka kërkuar shumën prej 7500 euro por që nuk i është dhënë. Në shtator 2017, grupi i Tafilit mori dënime të rënda nga gjykata, ndërsa i penduari i drejtësisë, Kristi Pine i shpëtoi burgimit të përjetshëm dhe trupi gjykues vendosi të lërë atë pas hekurave për 10 vite.

TRAFIK DROGE NGA QELIA

Izolimi në qëli në disa raste nuk i ka penguar të dënuar të caktuar që të mbajnë kontakte me jashtë, madje të drejtojnë edhe linja trafiku droge. Në ndonjë rast edhe i ka fuqizuar më shumë, për shkak të kontakteve që kanë krijuar brenda burgut me të dënuar të tjerë.

Një nga rastet më të dokumentuara është ai i vitit 2013. Endrit Dokle, që në atë kohë ishte i dënuar me burgim të përjetshëm, u akuzua se koordinoi nga burgu një rrjet trafiku droge drejt Italisë. Hetimet e operacionit ndërkombëtar të koduar “Ellenika” zbuluan trafikun e 250 kilogramëve heroinë dhe mbi 500 kilogramëve marijuanë.

Operacioni që u finalizua më 21 tetor të vitit 2013, ishte një bashkëpunim mes Shqipërisë, Italisë dhe Bosnjës, që i dhanë goditjen grupit të trafikut të drogës të ndarë në tri klane. Tre persona u arrestuan në Shqipëri, në Durrës dhe në Vlorë, ndërsa katër të tjerëve akuzat iu komunikuan në burg, ku ndodheshin për vepra të tjera penale. Dy nga të burgosurit që akuzoheshin në atë dosje ishin ish-anëtarë të “Bandës së Durrësit”, Endrit Dokle dhe Jorid Xhunga. Ata u akuzuan se kishin koordinuar veprimet e trafikut të drogës me telefon nga burgu. Në vendin tonë aksioni u koordinuar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Në tri vendet ku u zhvillua operacioni u arrestuan 71 persona, përfshi edhe dy shqiptarë në Itali. Pikënisja e hetimeve ka qenë viti 2009 pas ndalimit të një korrieri droge që vepronte për grupin me një sasi heroine në Udine të Italisë. Hetimi i kontakteve të tij e çoi Policinë italiane dhe Prokurorinë e Antimafies së L’Aquilas drejt një organizate të shtrirë në Itali, Bosnjë, Shqipëri dhe Kosovë. Organizata kriminale përgjigjej për trafikimin e sasive të mëdha të heroinës nga Turqia në rajonin e Ballkanit dhe më pas përcjelljen e saj në drejtim të tregut europian. Që në fazën e parë të hetimit, autoritetet italiane konstatuan se ky grup kishte trafikuar 240 kilogramë heroinë. Komunikimi bëhej përmes telefonit dhe ndërmjetësve jashtë burgut. Ky ishte një nga rastet e para ku hetimet treguan qartë se një organizatë kriminale funksiononte edhe pse drejtuesit ishin në burg.

Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, Endrit Dokle u dënua edhe me 16 vite burg me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Megjithatë, Dokle u lirua nga burgu në janar të vitit 2020, me një vendim të Gjykatës së Krujës që u diskutua e kontestua gjerësisht, pa çka se mbeti në fuqi.

DRITAN REXHPI – RRJETI NDËRKOMBËTAR

Në shumë histori gangsterësh, hekurat e burgut nuk janë gjë tjetër veçse disa barriera të lirisë fizike. Përveç saj, nuk u pengojnë asgjë tjetër. Madje shumë prej tyre, aty në burg, janë fuqizuar edhe më shumë. Kanë krijuar kontakte me botën e krimit jashtë. Kanë drejtuar linja trafiku ndërkombëtar droge. Madje kanë urdhëruar edhe pengmarrje. I tillë ishte edhe Dritan Rexhepi.

Një histori që e çon fenomenin nga Shqipëria në nivel global.

Dritan Rexhepi u arrestua mbrëmjen e 9 nëntorit 2023 në lagjen Beylikduzu, në perëndim të Stambollit. Operacioni për kapjen e tij u kodua “Kartel” dhe ishte kompleks.  Një operacion i shërbimeve inteligjente, i koordinuar nga Shërbimi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit Policor me Sekretariatin e Përgjithshëm të Interpol Lionit, Shërbimi Qendror Operativ i Policisë italiane dhe Agjencia Antidrogë e Antikontrabande e Turqisë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Ali Yerlikaya, disa orë pas arrestimit, më 10 nëntor 2023, dha detaje për operacionin, që ai e konsideroi të një rëndësie të veçantë. Ministri turk deklaroi se vendndodhja e Dritan Rexhepit u përcaktua si rezultat i punës së përbashkët të kryer nga dega Kundër Krimeve Narkotike në Stamboll, Dega e Inteligjencës, Dega Kundër Kontrabandës dhe Kalimit Kufitar të Emigrantëve dhe shkëmbimit të informacionit me Policinë Italiane.

Dritan Rexhepi u ekstradua nga Turqia në Shqipëri më 8 janar të vitit 2025. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai në bashkëpunim me Gentian Funiqin kanë urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës pas dyshimeve se vëllai i këtij të fundit në 2019-ën i kishte vjedhur në Angli një kontejner me lëndë narkotike në pronësi të tyre.

Procesi gjyqësor për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës vijon dhe si provë në këtë gjyq, prokurori ka paraqitur edhe komunikimet e zbardhura të vitit 2020 mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit dhe Altin Hajrit që tregojnë dinamikën e ngjarjes mënyrën se si kanë vepruar këta persona për rrëmbimin e Jan Prengës.

I gjithë procesi është i ndarë, ku në një pjesë të tij është dhënë vendim me burg përjetë për Festim Bexhdilin, ndërsa është në gjykim Dritan Rexhepi dhe 5 të tjerë që akuzohen për rrëmbimin e Jan Prengës.

Më 6 mars 2026 SPAK dha pretencën, duke kërkuar burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, megjithëse avokati i tij kundërshtoi akuzat duke thënë se Hajri nuk ka lidhje me ngjarjen. Ndërsa data 24 mars 2026 është caktuar na Gjykata për shpallje vendimin ndaj Altin Hajrit.

E ndonëse ishte një personazh i përfolur dhe mjaft i rëndësishëm i botës së krimit, Altin Hajrit vijoi veprimtarinë e tij derisa emri i tij doli sërish në skenë në janar të vitit 2020, kur Policia njoftoi zyrtarisht se në resortin e tij në Shijak, ishte mbajtur peng Jan Prenga dhe më pas nga aty kishte humbur çdo gjurmë e tij.

Policia shpjegonte se ky rrëmbim kishte ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës kishte pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe. Konflikti në fjalë, kishte të bënte me ngarkesën e madhe të drogës. Konkretisht 260 kg kokainë, që një nga vëllezërit e Jan Prengës në Angli, nuk e ka dorëzuar tek pritësit, por e ka përvetësuar bashkë me 3 persona të tjerë.

Një ditë janari, të vitit 2020, Ndrek Prenga mori një telefonatë të pazakonte. Në fakt edhe vetë kushtet kur u krye telefonata ishin të pazakonta. Ndreka ndodhej në një burg në Mbretërinë e Bashkuar, ku po vuante një dënim prej 8 vitesh heqje lirie. Po ashtu, edhe personi që e telefononte ndodhej në burg. Por, në një burg rreth 6000 kilometra larg, në anën tjetër të globit. Në Ekuador. Personi që i telefononte, ndodhej në një prej burgjeve të Guayaquil dhe quhej Dritan Rexhepi, i dënuar atje me 13 vjet burg, po për drogë. Të dy po komunikonim me celularë të futur fshehurazi në qeli.

Rexhepi, shefi i organizatës kriminale “Kompania Bello”, kishte një kërkesë të prerë dhe drejtpërdrejtë. I kërkonte Ndrekës kthimin e menjëhershëm të kokainës me vlerë disa milionë paund, që një nga vëllezërit e tij e kishte “vjedhur” pasi ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të janarit.

Ai i tha Ndrek Prengës së vëllai i tij sapo ishte rrëmbyer në një prej rrugëve të Shqipërisë dhe do të lirohej vetëm pasi të kthehej kokaina. Pengu kishte një mobileri në Kamzë dhe bënte një jetë të qetë. Ai nuk kishte marrë pjesë në asnjë moment në aktivitetet kriminale të vëllezërve të tij në Britaninë e Madhe. Por po paguante për hesapet e vëllezërve të vet.

Personazhi më i rëndësishëm, por edhe i rrezikshëm në të njëjtën kohë, që Ndrek Prenga njohu në botën e krimit, ishte Dritan Rexhepi, që në fakt ai e njihte me emrin Gramoz. Të dy ata kishin kaluar pak kohë bashkë në një paraburgim në Itali.

Në vitin 2013 fotografia e Dritan Rexhepit renditej e para në listën e më të kërkuarve të Scotland Yard, kur besohej se fshihej në Mbretërinë e Bashkuar. Po atë vit ai u dënua në mungesë, në Shqipëri për vrasjen e një oficeri policie dhe një personi tjetër. Por në atë kohë, Rexhepi në fakt ishte larguar drejt Amerikës së Jugut, në rrugën e tij për t’u bërë lideri i padiskutueshëm i “Kompania Bello”, të cilën e ktheu në një nga kartelet më të rëndësishëm dhe inovative të drogës që vepronte në Europë.

Kjo organizatë përbëhej nga 14 grupe kriminale shqiptare. Rexhepi mbikëqyrte “operacionet” e kokainës nga Ekuadori. Madje edhe kur u arrestua në Quito në vitin 2014, ai e zhvilloi edhe më shumë perandorinë e tij të drogës nga qelia, duke negociuar me kolumbianët dhe duke dërguar çdo vit tonelata kokainë në Europë. Rexhepi kishte një celular brenda në burg të lidhur me rrjetin e koduar Encrochat, i përdorur shumë nga kriminelët derisa u zbulua nga një hetim i policisë franko-holandeze. Ka qenë ndoshta i njëjti telefon që Rexhepi ka komunikuar me vëllain e Jan Prengës.

Vëllai i Jan Prengës, Ndrek Prenga, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme më 18 tetor 2024, në procesin që po mbahej për rrëmbimin dhe vrasjen e vëllait të tij, në janar të vitit 2020. Ai ka treguar se në vitin 2020 ka qenë në burg në Londër dhe se çdo ditë kishte kontakte me familjarët, gruan dhe fëmijët, me të cilët komunikonte përmes telefonit. Ai ka dëshmuar në gjykatë se me vëllain e tij ka folur rreth një javë përpara se të ndodhte ngjarja. Ka qenë një tjetër i dënuar në burgun ku ai vuante dënimin qe i ka futur në dhomë një telefon, me anë të të cilit  e ka telefonuar një person me prefiks të huaj, duke iu prezantuar si Gentian Funiqi, ose Doçi. Sipas Prengës, Funiqi është prezantuar në telefon si një person me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës, duke i thënë që: “Ma jep gjënë”. Prenga thotë që i referohej një sasie prej 260 kilogramë kokainë. Gjatë dëshmisë ai shtoi se Gentiani i kishte thënë se ka te tentuar të komunikojë edhe me vëllain Astritin, por nuk ka arritur. Pas këtij momenti  Ndrek Prenga i është përgjigjur se nuk ishte në dijeni se për çfarë bëhet fjalë.

Ndreka sqaron se ka marrë në telefon Astritin, por edhe ky i fundit i është përgjigjur se nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur. Pas një apo dy ditësh është njoftuar nga bashkëshortja se Jan Prenga është marrë peng dhe se pas kësaj, është përpjekur të merrte vesh se çfarë ka ndodhur. Pas pak ditësh ai është vënë në dijeni se bëhet fjalë për një sasi prej 260 kg kokainë që ishin marrë në port, dhe gjatë komunikimeve që Ndrek Prenga kishte me Gentianin, ky i fundit i thotë që të dorëzojë atë “gjënë” duke iu referuar sasisë së kokainës me qëllim për të liruar pengun. Prenga thotë se xhaxhai i tij dhe një person tjetër kanë shkuar në Shkodër për të takuar familjarët e Gentian Doçit ku atje kanë gjetur babin e tij.  Ky i fundit i është përgjigjur se nuk ka dijeni dhe përgjegjësi se çfarë bën djali i tij. Prenga ka sqaruar në gjykatë se pas ndërprerjes së mesazheve me Gentianin,  i ka shkruar një tjetër person duke iu prezantuar si Gramoz ku edhe ai pretendohet se kokainën e marrë nga Astrit Prenga është e tija. Sipas dëshmisë së gjatë të Ndrek Prengës, pasi policia ka ndërhyrë në kompleksin Golden Resort në Shijak, nga ai moment ai ka ndërprerë komunikimet me të gjithë personat që kishte folur.

Zanafilla e ngjarjeve që çuan në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ndonëse ende nuk është gjetur trupi i tij, filloi në shtator të vitit 2019, në portin ekuadorian të Guayaquil, kur një anije mallrash që transportonte banane u nis për në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç frutave, në një prej kontejnerëve ishin futur edhe 260 kg kokainë, me vlerë 15-20 milionë paund. Anija u ankorua në Portsmouth, Hampshire në fund të dhjetorit të po atij viti.

Sipas dosjes së Prokurorisë Astrit Prenga, Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian u punësuan nga ndërmjetës me origjinë britanike dhe iraniane për të marrë drogën nga porti, për llogari të dy bandave kriminale me bazë në Shqipëri. Ata e realizuan me sukses tërheqjen e kokainës nga kontejneri në port në fillim të muajit janar të vitit 2020. Por më pas e ndërruan planin, që më vonë rezultoi me pasoja fatale.

SKY ECC NË BURG

Hakmarrja, paratë, droga, miqësitë e armiqësitë e përbashkëta ndodh që lidhin aleanca.

Krimi tregon dhëmbët në mënyrën më të ashpër e ndonjëherë edhe më të pabesë.

Ndërton aleanca që funksionojnë mbi tradhti. Me njerëz që shesin njeri-tjetrin. Me njerëz që arrijnë të drejtojnë veprime edhe nga burgu i sigurisë së lartë. Me njerëz që pranojnë të vrasin armikun dikujt vetëm sepse ka mik armikun e tij. Me njerëz që ndonëse dikush është vrarë për punët e tij, nuk e ka për gjë ta shajë edhe pas vdekjes. Pa kod nderi e pa moral.

Intriga që zbulohen nga bisedat që dhjetëra persona kanë zhvilluar përmes aplikacionit SKY, ku kuptojmë se disa njerëz jetojnë vetëm për të vrarë dhe janë gati të paguajnë miliona euro që dikush të mos jetojë më. Gjithçka u zbulua në operacionin “Revanshi” të SPAK, që u zhvillua në maj të vitit 2024 dhe u shtri brenda dhe jashtë Shqipërisë. U kërkua arrestimi i 51 personave dhe u zbulua bashkëpunimi i 7 grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak e Rrëshen.

Ashtu siç rezulton nga dosja e SPAK, një nga personazhet që përdorte SKY brenda burgut të sigurisë së lartë dhe që thurte plane atentatesh ishte edhe Emiljano Shullazi.

Vrasja e Gilmando Danit konsiderohet si një nga ato krimet të rënda, të vështira dhe të ndërlikuara për t’u dokumentuar. Me eliminimin e tij, atentatorët dhe porositësit kanë synuar të godasin edhe vetë Emiljano Shullazin që ndodhet në burg. Dani ishte njeriu i tij më i besuar, krahu i djathtë që nuk e kishte lënë kurrë në baltë dhe me gjasë mund të çonte deri në fund çdo porosi të tij duke drejtuar gjithçka nga jashtë.

Përveç pistës së larjes së hesapeve mes grupeve, hakmarrjes për ngjarje që ndër vite mund të jetë hetuar por asnjëherë nuk janë vënë nën akuzë, si Shullazi ashtu dhe Dani, grupi hetimor ka dhe një pistë të tretë. E ajo lidhet me një krim të mundshëm për të parandaluar planë vrasjesh që në disa momente u ekspozuan nga platforma SKY në dosjen e SPAK, që goditi disa grupe kriminale gjatë operacionit “Revanshi”, në maj të vitit 2024.

Plane që personazhe të botës së krimit mund t’i ketë hamendësuar, por në momentin që mesazhet bëhen publike, kushdo e ndjen veten edhe më të rrezikuar. Dhe një nga ata personazhe që kishte zhvilluar biseda të tilla në SKY gjatë vitit 2020, edhe pse i izoluar në burg, ishte edhe Emiljano Shullazi.

Nga i gjithë grupi i tij, që u arrestuan me akuza të rënda në vitin 2016, disa prej të cilave ranë rrugës, të gjithë përfunduan dënimin dhe lanë qelinë njëri pas tjetrit. I vetmi që vijon të mbahet i izoluar është Emiljano Shullazi, për të cilin tashmë janë dy procese që po zhvillohen në Gjykatën e Posaçme. I pari që lidhet me vrasjen e vitit 2005 të biznesmenin Vajdin Lame dhe mikut të tij Artan Arsi dhe i dyti lidhur me dosjen e operacionit “Revanshi”, që ekspozoi aleancat e disa grupeve kriminale që bashkëvepronin për vrasjet e kundërshtarëve. Procesi i parë, ai i vrasjes së Vajdim Lames, ku përveç Shullazit janë në gjykim edhe 4 persona të tjerë, është drejt përfundimit, në fazën e dëshmive.

Ndërsa procesi tjetër është i ndarë në dy pjesë, një në themel dhe një tjetër në fazë seance paraprake. Më 15 shkurt 2025 SPAK mbylli hetimin dhe dërgoi për gjykim dosjen me 14 pjesëtarët e një grupi të strukturuar kriminal. Pjesë e kësaj dosje janë disa episode, mes të cilave edhe plani për vrasjen e Durim Bamit. Në janar të vitit 2020 zhvillohet një bisedë në SKY mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit, që edhe pse ndodhet në burg, përdor një celular, madje ka edhe SKY. Markleni e informon Emiljanon për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar “Range Rover”.

Ndërsa në muajin mars të vitit 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndokën, duke i dhënë informacione për lëvizjet e Durim Bamit, por pa i thënë që këto informacione i merrte nga Marklen Haka. Bisedat vijojnë edhe me persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me qëllim vrasjen e Durim Bamit, por në asnjë rast nuk arrijnë ta realizojnë. Në një moment, në gusht të vitit 2020, Arben Ndoka bisedon me Ervis Martinaj, për faktin që Shullazin e kishin izoluar në regjimin e posaçëm “41 Bis”.

Megjithatë ky është vetëm një rast i dokumentuar tashmë nga SPAK, por askush nuk e përjashton mundësinë që edhe personazhe të tjerë të botës së krimit, që mund të jenë të izoluar në burg, kanë përdorur telefona të koduar.

Në fakt jo vetëm platformat e koduara, por edhe një telefon i zakonshëm konsiderohen si arma më e rrezikshme brenda burgut. Por a është burgu një qendër komandimi?

Ngjarja e fundit që ndodhi me porosi nga burgu ishte ajo e datës 10 mars 2026 në Tiranë. Sabah Nuzi, një i dënuar përjetë për vrasje, sipas Policisë së Tiranës kishte porositur nga Burgu i Fushë – Krujës vendosjen e eksplozivit në makinën e Oltion Klosit. Policia arriti të zbardh ngjarjen, duke identifikuar disa nga autorët përmes kamerave të sigurisë e më pas edhe gjithë personat e tjerë të përfshirë në ngjarje. Më 17 mars 2026 Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën arrest në burg për Sabah Nuzin, i arrestuar më parë dhe për 7 të arrestuarit që i vendosën tritolin Oltion Klosit në Tiranë. Përveç Nuzit togat e zeza vendosën, arrest në burg  edhe për Jurgen Gjonaj, Renato Balla, e Eklips Leti e Kristjan Ahmerama, ndërsa për Glentjan Kojtari e Dorjan Hamolli “arrest shtëpie” dhe për Geris Molla u dha detyrim paraqitje.

Sabah Nuzi, i cili akuzohet si porositës i krimit nga burgu, ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se nuk e di se kush e ka bërë.

Kjo ngjarje ishte një tjetër dëshmi se drejtuesit e krimit nuk kanë nevojë të jenë në rrugë. Rrjetet funksionojnë edhe kur ata janë në burg.

Për më shumë se dy dekada, hetimet kanë treguar se krimi në Shqipëri nuk ndalet gjithmonë pas hekurave. Sepse në disa raste, qelia nuk është fundi i historisë.

Ajo është vetëm vendi nga ku jepen urdhrat e radhës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!