Shqipëria renditet në vendin e 9-të në botë për sigurinë kibernetike sipas National Cyber Security Index, indeksit ndërkombëtar që mat nivelin e përgatitjes së shteteve për të parandaluar kërcënimet dhe për të menaxhuar incidentet kibernetike.
Vendi ynë vlerësohet me 92.5 pikë. Një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Shqipëria ngjitet nga endi i 54-t në vitin 2023 dhe vendi i 15-të në vitin 2025 drejt vendeve më të avancuara në nivel global në këtë fushë.
Vlerësimi i National Cyber Security Index që zhvillohet nga E-Governance Academy në Estoni bazohet në analizën e kapaciteteve kombëtare për menaxhimin e rreziqeve kibernetike.
Këtu përfshihet përfshirë kuadri ligjor dhe politik, mbrojtja e shërbimeve thelbësore, menaxhimi i incidenteve kibernetike, si dhe zhvillimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Rezultati i Shqipërisë reflekton përmbushjen e një game të gjerë treguesish që lidhen me organizimin institucional, reagimin ndaj incidenteve dhe masat parandaluese në nivel kombëtar.
Sipas raportit, Shqipëria vlerësohet për progresin në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare, si dhe për përmirësimin e mekanizmave të koordinimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.
Indeksi përfshin 112 shtete dhe vlerëson mbi 40 indikatorë që mbulojnë: kuadrin ligjor dhe institucional, mbrojtjen e shërbimeve kritike dhe të dhënave personale, kapacitetet e reagimit dhe menaxhimit të krizave, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.


