Rithemelimi vdiq dje, por ringjallet sa jetë të ketë Sali Berisha. Ai shpalli zyrtarisht rikandidimin për kryetar të PD, me një status special dhe sfidues: “Rithemeluesi”.
Analisti Arben Meçe tha për Tirana Live se kandidimi i Ervin Salianji varet nga vullneti i Berishës, i cili mund ta lejojë për arsye imazhi ose ta përjashtojë nga gara.
Ai paralajmëroi se gabimi më i madh i Salianjit do të ishte nëse bie në lojën e Berishës dhe se vazhdon të veprojë në mënyrë individuale për të krijuar mbështetje.
“Sot u shpërnda informacioni që Salianji do të shpallë kandidaturën. Ai duhet të prodhojë minimalisht 100 firma nga anëtarët e PD. Ky është kushti kur Saliu vërtet do Salianjin në lojë; kur nuk e do kandidat, i thotë je i përjashtuar. Skenari është: e do apo jo Saliu. Çështja është nëse Saliu e do, pse e do; e do sepse në këtë skenar të organizuar prej tij i duhet imazhi i partisë ku zgjedhjet janë prezente dhe këto bëhen në kushtet kur është e kotë. PD si sekt që është.
Nëse Berisha kërkon imazh, do e lërë Salianjin të veprojë; nëse nuk do imazh, do prodhojë një figurë tjetër siç ka prodhuar. Deliri i madhështisë do jetë nëse thotë që nuk ka kandidat. Mua më intereson skenari i parë, që Berisha do që Salianji të jetë në lojë.
Gabimi më i madh i Salianjit do bëhet nëse bie në lojë të Berishës. Salianji vijon të luajë në mënyrë individuale për të krijuar fluks.” / abcnews.al /


