Albin Kurti ka emëruar 453 militantë në administratën shtetërore për qëllime personale, ndërsa qeveria e tij është totalisht fiktive, me një kabinet i cili është një ndër më të mëdhenjtë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa në krahasim me numrin e popullatës është padyshim më i madh se i Kinës, i Indisë, apo i Pakistanit.
Akuzat vijnë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar rregulloren e saj me numër 04/2026, ku ka prezantuar strukturën e ministrive, anëtarët e kabinetit dhe mbi të gjitha ka krijuar ministri të cilat nuk kanë portofol real, po kanë portofol fiktiv me qëllimin e vetëm për të rritur numrin e ministrive, për të pasur sa më shumë staf të emëruar politik dhe në të njëjtën kohë për të akomoduar agjendën e tyre partiake. Kryeministri: Ka deri 24 këshilltarë politikë, prej tyre 10 të jashtëm dhe 15 staf.”
Tahiri tregoi edhe arsyen e prezantimit të kësaj analize, duke shtuar se vendi po gjendet në kohë krizash, ndërsa Kurti akomodon në zyrat e ministrive njerëz për ti shpërblyer ata politikisht, pa asnjë perspektivë, pa asnjë qëllim apo objektivë për ti shërbyer vendit.
“Përderisa sot qytetari i Kosovës është duke u ballafaquar me probleme substanciale të jetës së vet, me problemin për të lidhur muajin me muaj, me ekzistencën e vet e të familjes, me kërkesën për një vend pune e për një jetë më të dinjitetshme, sot kjo është madhësia e qeverisë aktuale. Ajo akomodon për herë të parë në historinë e Kosovës një numër kaq të madh të emëruarve politikë. Dhe mbi të gjitha, është kjo qeveri që ende s’ka prodhuar program, ende nuk e dimë për çka qëndron”
Përpos numrave të fryrë në administratën e afërm të Kurtit, opozita akuzon edhe për diskriminim gjinor. Nga 21 anëtarë në qeveri, vetëm katër janë ministre gra, më pak se 20 % e kabinetit qeveritar.


