18 vite pas shpërthimit të Gërdecit, një nga ngjarjet më të rënda të dekadave të fundit, familjarët e viktimave kërkojnë ende drejtësinë e munguar.
Në një deklaratë publike, ata kërkojnë që hetimet të shkojnë deri tek përgjegjësit e vërtetë, nga ish ministri I mbrojtjes Fatmir Mediu, I cili po gjykohet aktualisht e deri në figura të tjera që kanë patur rol në këtë masakër.
Familjarët e viktimave kundërshtojnë pretendimet e ish ministrit Mediu se procesi gjyqësor ndaj tij është politik, duke theksuar se pengesat ndaj drejtësisë, sipas tyre kanë pikërisht politike.
“Ndryshe nga sa pretendohet shpesh publikisht nga ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, gjyqi që zhvillohet sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është një proces politik. Përkundrazi, historia e kësaj çështjeje tregon se pengesat ndaj drejtësisë kanë qenë të natyrës politike.”
Sipas deklaratës, akuza ndaj Mediut është ngritur që në vitin 2009, por për më shumë se një dekadë nuk u gjykua për shkak të imunitetit parlamentar. Vetëm pas shumë përpjekjesh nga familjarët dhe debatesh juridike, çështja u rikthye për shqyrtim në Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Familjarët kritikojnë gjithashtu mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor, duke pretenduar se shpesh është zvarritur dhe se i pandehuri ka përdorur sallën e gjyqit për deklarime politike.
“Pas rreth tre vitesh procesi vijon në gjykatë. Në pothuajse çdo seancë, i pandehuri e përdor sallën e gjyqit jo vetëm për qëndrime juridike, por më shumë për deklarime politike në interes të tij.”
Në deklaratë theksohet se në thelb të çështjes qëndron vendimi i ish-ministrit për të lejuar demontimin e municioneve pranë zonave të banuara dhe nga një kompani private që, sipas familjarëve, nuk kishte teknologjinë e nevojshme për një operacion të tillë.
“Ne nuk kemi thënë kurrë se demontimi nuk duhej bërë. Ajo që kemi thënë gjithmonë është se nuk duhej bërë në mënyrën se si u bë, në kushte të pasigurta, pranë banesave dhe me një organizim që përfundoi me një kosto tragjike në jetë njerëzish”
Në fund, familjarët thonë se pavarësisht viteve të gjata të pritjes, ata nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.
“Ne kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë, që shoqëria shqiptare të sigurohet që një ngjarje e tillë të mos përsëritet kurrë më. Ky është amaneti i atyre shpirtrave që përkujtojmë sot.”
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit të marsit 2008 në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.


