Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

Shqipëria, shtëpia e re e një filipinasi/ Pas një viti në vendin tonë, Gelo Ligpit thotë se këtu gjeti shpresë

schedule13:45 - 15 Mars, 2026

schedule 13:45 - 15 Mars, 2026

Dhimbja më e madhe e një emigranti është lënia pas e familjes së tij. I tillë është rasti i 37-vjeçarit,  Gelo Ligpit nga Filipinet, i cili ka zgjedhur Shqipërinë për një jetë më të mirë, por, me dhimbjen që ka lënë pas prindërit, motrën dhe vëllain. 37-vjeçari thotë se vendimi për tu larguar nga vendi i tij nuk ishte i lehtë, por ishte një hap për ndryshim.

“Bëj një vit që jam këtu në Shqipëri. Kisha dëgjuar se Shqipëria është shumë e bukur, plazhe të mira, njerëz miqësorë. Dhe është e vërtetë. Njerëzit këtu janë të mrekullueshëm, njësoj si në Filipine. Mamaja ime, motra dhe vëllai jetojnë në Filipine. Në Filipine paga ime do të ishte rreth 450 ose 500 euro në muaj. Këtu është rreth 600. Është pak më mirë. Punoj në hoteleri. Kjo është arsyeja pse punoj fort, për të mbështetur familjen time, për t’u dërguar para.”, shprehet ai.

Ai thotë se Shqipëria për të është kthyer në shtëpi të dytë, ndërsa tregon edhe ngjashmëritë mes dy vendeve, që sipas tij janë të shumta; mikpritja, respekti për punën dhe lidhja me familjen.



“Është pothuajse e njëjta gjë. Ka pak ndryshim, por njerëzit janë shumë të mirë. Mënyra si na trajtojnë ne, punëtorët e huaj, është shumë e mirë.”

Para se të vinte në Shqipëri, Gelo tregon se ka punuar e jetuar për 11 vite në Kuvajti, shtet i pavarur që shtrihet mes Arabisë Saudite dhe Irakut. Shqipëria nuk ishte një vend i panjohur për 37-vjeçarin, pasi tregon se kishte dëgjuar për bukuritë e saj natyrore.

“Kam dëgjuar për Shqipërinë në lidhje me Ballkanin dhe plazhet. Kam qenë në Sarandë, në Durrës. Është vërtet mahnitëse.”, shprehet Gelo Ligpit.

Ai thekson se një nga ndryshimet më të mëdha për një filipinas është klima.

“Në Filipine kemi vetëm dy stinë. Këtu ndjej katër stinët. Dimrin, pranverën, verën… Ndoshta një nga ëndrrat e filipinasve është të provojnë borën.”, tregon ai.

Sot, pas një viti, ai është mirënjohës për vendin që e priti, ndërsa tregon se është i pavendosur për të ardhmen nëse, do vijoj të qëndrojë këtu, apo të kthehet në Filipine.

“E dua vendin tim, por, tani Shqipëria është në zemrën time. Vendi im është shumë i mirë, por, varfëria në Filipine mund të vazhdojë edhe nëse punon fortë. Ndërsa këtu në Shqipëri më duket ndryshe,, ka pak përparësi në këtë vend. Ndoshta një ditë mund të kthehem edhe unë në vendin tim, por, nuk e kam vendosur ende”, thotë më tej filipinasi.

Historia e të riut nga Filipinet është një nga shumë histori emigrantësh që gjejnë në Shqipëri një mundësi të re, mes sfidave, sakrificave dhe shpresës për një të ardhme më të mirë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!