Më shumë se 20 persona kanë humbur jetën gjatë sulmeve izraelite në Liban njoftuan zyrtarët libanezë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, në zonën pranë qytetit bregdetar Sidon u vranë nëntë persona, mes tyre edhe pesë fëmijë.
Bombardime të tjera në jug dhe lindje të vendit shkaktuan vdekjen e 14 personave të tjerë. Ndërkohë, në kryeqytetin Bejrut një person u vra pas një sulmi ndaj një automjeti.
Ushtria izraelite nuk komentoi drejtpërdrejt për këto viktima, por iu referua një deklarate zyrtare për operacionet e fundit kundër milicisë pro-iraniane Hezbollah në Liban.
Në deklaratë thuhet se ushtria ka kryer “dhjetëra sulme” në Bejrut, në Luginën Bekaa në lindje dhe në jug të Libanit.
Sipas saj, objektivat kanë qenë depo armësh dhe pika të rëndësishme të Hezbollahut, me qëllim dobësimin e mëtejshëm të kësaj milicie.


