Këngëtarja e njohur e muzikës qytetare, Eglantina Toska, vjen me një projekt të ri muzikor në bashkëpunim me reperin nga Elbasani, Marly. Kënga mban titullin provokues “Femra i vë kapak” dhe është një rikthim i një krijimi të realizuar rreth 20 vite më parë, që artistja vendosi ta risjellë në një version të moderuar dhe më bashkëkohor.
Sipas Toskes, ajo investon gjithmonë në projektet e saj muzikore dhe shpesh u rikthehet këngëve edhe pas regjistrimit për t’i përmirësuar apo ndryshuar detaje. Kjo këngë, e cila mungonte në playlistën e saj në YouTube, ishte një dëshirë e kahershme për ta rikthyer për publikun.
Bashkëpunimi me Marly-n lindi krejt rastësisht, pasi të dy artistët janë nga i njëjti qytet. Reperi thotë se ideja për këtë duet erdhi natyrshëm dhe se gjatë xhirimeve të klipit gjithçka shkoi shumë mirë, falë një ekipi profesionist dhe një atmosfere shumë komode.
Marly, prej më shumë se 10 vitesh në tregun muzikor, thekson se fama ka vlerë vetëm kur është e merituar. Ndërkohë, për Eglantina Toskën, e cilësuar shpesh si “bilbili i këngës së Shqipërisë së Mesme”, muzika mbetet një pasion i hershëm, që e shoqëron prej më shumë se dy dekadash në skenë.
“Femra i vë kapak” / Eglantina Toska rikthen hitin pas 20 vitesh. Duet surprizë me Marly
schedule12:09 - 12 Mars, 2026
schedule 12:09 - 12 Mars, 2026
