Të paktën kjo nuk duhej të kishte ndodhur.
Në krizë të plotë në Premier Ligë, Liverpuli kishte si objektiv kryesor Championsin, por edhe Europa duket se nuk po I buzëqesh aspak.
Humbja në fushën e Gallatasarajit, në prani të mbi 51 000 tifozëve të zjarrtë, në ndeshjen e parë të raundit të dytë mund të mos jetë e pakapërcyeshme, sepse rezultati ishte 1-0, por problemi është se kjo skuadër nuk ka aspak besim në vetvete.
Turqit e shfrytëzuan faktorin fushë dhe do të jenë tepër të rrezikshëm në kthim, siç e tha autori i golit, Mario Lemina.
Përse të mos fitojmë në “Anfild”?
Gallata luftoi fort dhe e meritoi në një sfidë që ishte në ekuilibër, ndërsa Liverpuli u duk tepër nervoz.
Ndoshta ndryshimet e shumta në formacion, me lojtarë si Kerkez e Gravenberh, dhe me një Mohamed Salah që mbetet hija e vetvetes.
Lemina shënoi shpejt që në 7’, dhe nuk mund të thuhet se anglezët nuk patën kohë të reagonin.
Raste pati për të dyja skuadrat, po ashtu dy gola të anuluar, ndërsa sfida në ishull pritet të jetë tepër e ashpër.
Trajneri holandez Arne Slot nuk mundi ta festonte ndeshjen e 100-të në stolin e kuq, stol I cili ka nisur të lëkundet shumë.


