Partia Socialiste zhvillon mbledhje me grupin parlamentar këtë të hënë, 9 mars, për të shqyrtuar raportin e socialistëve në Këshillin e Mandateve mbi kërkesën e SPAK për procedurat ndaj ish-ministres Belinda Balluku.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja gjatë përmbledhjes së projektraportit të PS tha se masa e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut nga detyra, nuk ka sot më fuqi juridike pasi Balluku nuk ushtron më asnjë detyrë ekzekutive në qeveri.
“Dua të prezantoj raportin rekomandues tonin për kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimin, heqjen e lirisë të deputetes Belinda Balluku. Që në krye të herës më lejoni që të falënderoj kolegët e mi, për integritetin që kemi pasur për trajtimin e kësaj çështjeje, kemi diskutuar për relacionin dhe kërkesën e palëve në këtë kërkesë.
Ka ndodhur një realitet i ri juridik dhe institucional, Belinda Balluku nuk ushtron më funksione në qeveri, sipas ndryshimeve, për pasojë masa e pezullimit nuk prodhon më asnjë pengesë juridike. Po ashtu kërkesa ka vendosur masat më të rënda personale. Mbeten hipotetike për aq kohë sa lidhen me funksionet ekzekutive, që deputetja nuk i ushtron më”, tha Manja.


