Kryeministri Edi Rama deklaroi se Korridori VIII është një projekt i rëndësishëm.
Ai shtoi se përfshirja e korridorit në rrjetin europian erdhi si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Shqipërisë gjatë samitit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Tiranë.
“Korridori VIII ka qenë prej kohësh i kuptuar dhe i deklaruar strategjik por nuk ka qenë i pranuar nga BE si një korridor europian. Arsyeja ka qenë se jo të gjitha vendet e BE e dëshironin këtë korridor dhe ka pasur gjithmonë refuzim nga ana e BE për ta përfshirë në korridoret europiane sepse përfshirja i jep një korridori vlerën si një aset i BE. Duke qenë aset i BE, bëhet i financueshëm nga fondet europiane ose që mund të merren nga organizatat financiare. Ka qenë puna, diplomacia jonë që në samitin e zhvilluar në Tiranë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor ky korridor u fut në rrjetin europian. Natyrisht që duke u bërë kjo, jo vetëm u kuptua natyra strategjike e tij, por edhe rëndësia. Lidhja me portin e Durrësit garanton një aks tjetër të lëvizjes së mallrave, më të shpejtë, me kosto më të ulët. Paralelisht, korridori duhet të ndërtohet edhe në vendet që i kemi ngjitur apo më pas, në RMV e Bullgari”, tha Rama.


