Është kthyer sërish skuadra që nuk le kënd të ngrejë kokë. Nëse për një rast të vetëm, ishte Leverkusen i trajnerit Shabi Alonso, që e zbriti nga maja, tashmë askush në Gjermani nuk mund të matet me Bajernin.
Fitorja 4-1 në Bundesligë arritur ndaj një ish-rivali të dikurshëm si Borusia e Mynshengladbahut, ishte një tjetër konfirmim.
Në një duel të cilin e dominoi plotësisht, kampionia në fuqi triumfoi 4-1, edhe pse pati disa mungesa.
Sulmuesi kryesor Harri Kejn u la në stol sepse të martën do të luhet në Champions, dhe duhen ruajtur forcat.
Gjithsesi, golat erdhën radhazi nga Luis Diaz dhe Konrad Laimer në pjesën e parë, si dhe nga Xhamal Musiala me penallti dhe Nikolas Xhekson pas pushimit.
Gladbah thjesht shkurtoi shifrat në 4-1 përfundimtar në minutën e parafundit.
Trajneri Kompani bëri edhe zëvendësime duke hequr kapitenin Nojer në pushim, si dhe pas një ore lojë edhe titullarët Upamekano e Diaz si dhe më pas mesfushorin Kimih.
Bajerni kryeson me diferencë tepër të madhe kampionatin gjerman, dhe Dortmund ka mbetur shumë prapa.
Tashmë mendohet për rekordet, pasi duhen edhe 14 gola për të vendosur një të ri për totalin në një sezon, si dhe synohet titulli numër 35.


