Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Misioni i nderuar i mësuesit/ 7 Marsi, mirënjohje përkushtimit dhe sakrificave për edukimin

schedule11:20 - 7 Mars, 2026

schedule 11:20 - 7 Mars, 2026

Rrugëtimit të saj në arsim po i vjen fundi dhe mësuese Flora kontributin e mat dhe  me mbresat që ka lënë ndër breza.

“Më vjen mirë kur dëgjoj sirenën e makinës dhe shoh ato duart zemrat që më përshëndesin dhe më thonë zyshë, jam arbri që kam qenë tek e 8 B, këto janë emocionet që përcjellë  profesioni ynë”, shprehet mësuesja Florentina Dhimitri.

Këto janë tre muajt e fundit mes nxënësve. Pas rreth 40 vitesh pranë bankave të shkollës  ajo do të dalë në pension.



“Roli mësuesit nuk është thjeshtë marrja e stilolapsit, ai shkumësi, por ka shumë, shumë misione të tjera që ne realizojmë brenda orës së mësimit”, tregon ajo.

Një rrugë që e nisi me pasion për mësuesinë dhe e ktheu  në mision për edukimin e brezave.

Nga auditoret e universitetit ku u diplomua për filozofi  nisi  të japë mësim në shkollën e mesme në  Përmet.

Vijoi në  Tiranë  si drejtuese në shkollën 9 vjeçare “Avni Rustemi” dhe më pas  tek  “Jeronim De Rada”  ku për të 26 – tin  vit jep lëndën e qytetarisë.

“Përballja e parë me nxënësit ishte sfidë. Duhet të njiheshe me karakteret e tyre, të njihje cilat ishin interesat e tyre, të jepje lëndë me dashuri që ata ta mësonin.  Dhe sëbashku më ta u rrita dhe unë”, tregon ajo.

4 dekada, dy sisteme, dy realitete dhe  mijëra  nxënës  që ndryshonin  bashkë me shoqërinë.

“Para viteve 90 shkalla e  qëndrimit dhe reflektimit të nxënësve ka qene brenda një kuadrati, nxënësi nuk  shprehte vetveten, se gjithmonë problematikat duhen parë në kohën në të cilën ne jetojmë. Pas viteve 90 pati një ndryshim, kuptohet në përshtatje me të gjitha etapat e zhvillimit  të shoqërisë  dhe ato vlera të lirisë dhe demokracisë që na kishin munguar patën një farë qasje jo në nivele të duhura të atyre qëndrimeve, sjelljeve që kishim dhe  kjo ishte një sfidë tjetër”, shprehet ajo.

Nxënësit sot janë më mëndjehapur, shpesh më të shkujdesur, por dhe më pranë informacionit. Në epokën e teknologjisë, roli i mësuesit ka ndryshuar.

“Atëherë nuk e ngrija zërin në orë të mësimit, sot më duhet të përdor disa tone në orë të mësimit, sipas situatave që më krijohen. Sot nxënësi hulumton, por ky informacion duhet të jetë i kontrolluar. Se ndodh e kapërcejmë limitin e asaj që është e domosdoshme.  Duhet një koordinim shumë i rëndësishme dhe tepër i vëmendshëm në informacioni që jep mësuesi në atë ku duhen fokusuar. Koha ecën shumë shpejt. Në këto gjëra jemi detyruar të përballemi”, tregon ajo.

Dhe në fund të një dite jo fort të mirë  bisedat mes kolegësh apo  buzëqeshja e një nxënësi  kanë kthyer qetësinë.

“Kur kam dalë nga dera e shkollës kam qenë shumë e qetë dhe kur kam parë dhe buzëqeshjen e nxënësit me një më fal mësuese kjo ma ka bërë ma ka bërë ditën e punës më të lehtë”, shprehet mësuesja.

I vjen keq që  mësuesia nuk është më aq e dashur si dikur  dhe për këtë ka një mendim.

“Vetëm nëse futesh në dyert e shkollës e kupton çfarë punë e madhe bëhet në shkollë, por për punën që bëhet shpërblimi duhet të jetë më I madh. Kjo është arsye sot që brezat nuk e pëlqejnë këtë profesion. Jam e bindur se do ndryshojë. Se të ndërtosh një shtet duhet të ndërtosh mendjet e njerëzve dhe këto mendje të njerëzve ndërtohen këtu në shkollë”, shprehet Florentina.

Të jesh mësues për Florentinën nuk është vetëm profesion. Ajo thotë se është dhe mision  dhe misionet e vërteta nuk dalin në pension.

“Unë kam një mbesë, jeton jashtë, është e vogël, unë do ti mësoj gjuhën shqipe, do ti flas për Shqipërinë, misioni dhe pasioni im do të vazhdojë më tej”, tregon ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!