Eksperti i ekonomisë Ardian Civici, i ftuar në emisionin Real Story në ABC News, ngriti alarmin për gjendjen e skemës së pensioneve në vend, duke theksuar se raporti aktual mes kontribuuesve dhe përfituesve është shumë larg standardit të nevojshëm për funksionim normal.
Sipas tij, që një skemë pensionesh të jetë e qëndrueshme, duhet të ketë 1 përfitues me 3 deri në 3.5 kontribuues. Aktualisht, ky raport është 1 me 1.17, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm një të tretën e kapacitetit të duhur.
Civici theksoi se plakja e popullsisë po e rëndon edhe më tej situatën, duke e bërë të domosdoshme një ndërhyrje më të madhe buxhetore dhe sociale. Sipas tij, në kushtet aktuale është shumë e vështirë të mendohet për një zgjidhje afatshkurtër.
Eksperti u ndal edhe tek ndikimi në rritjen ekonomike, duke argumentuar se një fuqi punëtore në rënie do të thotë më pak prodhim dhe më pak zhvillim. Ai paralajmëroi se nëse trendet demografike vijojnë, grupmosha 50-70 vjeç mund të zërë mbi 50% të popullsisë, ndërsa mosha aktive kontribuuese do të vijojë të tkurret.
Në këtë kontekst, Civici vlerësoi se për 10-15 vitet e ardhshme vendi do të mbetet i varur nga një skemë e fortë mbështetjeje sociale dhe buxhetore, pasi pa ndërhyrje të thellë dhe politika të mirëstrukturuara, skema aktuale e pensioneve rrezikon të mos funksionojë.
“Nga ndikimi që ka në gjithë skemën e pensioneve. Që një skemë pensioni të funksionojë normalisht duhet që të jetë raporti 1 përfitues, 3-3.5 kontribuues. Ne sot e kemi 1 me 1.17. kemi një të tretën e funksionimit të kësaj skeme. Plakja e popullsisë e bën gjithë këtë skemë sociale, ku përfshihen edhe pensionet të jashtëzakonshme.
Në kushtet ku jemi ne tani është shumë e vështirë, sepse kërkohet një ndërhyrje më e madhe. Nga ana tjetër u përmend edhe fakti në rritjen ekonomike. Natyrisht nëse ne kemi një fuqi punëtore gjithnjë në ulje, ku themi fuqi punëtore, kam parasysh të gjithë punonjësit e të gjitha kategorive, natyrisht që ekonomia do të prodhojë më pak. Të gjithë faktorët e krizës demografike që ne kemi, do bëhet një skemë e tillë që mosha 50-70 vjeç do të zërë mbi 50% të popullsisë dhe mosha që duhet të jetë mosha kontribuuese, mosha aktive e punës dhe mosha që e mban gjallë ekonominë natyrisht që po vjen duke u zvogëluar.
Situata është shumë e vështirë për t’u menduar që ka një dalje afatshkurtër. Unë nuk mendoj që ne për një periudhë 10-15 vjeçare mund të dalim nga një skemë shumë e fortë e mbështetjes sociale. Në këtë situatë demografike ku jemi ne dhe në këtë raport mes kontribuuesve dhe përfituesve pa një mbështetje të fortë buxhetore dhe pa një mbështetje të logjikës sociale, kjo skemë nuk funksionon dhe është shumë e vështirë”, tha eksperti.


