E shohin si Mesian e ri. Jo thjesht si një tjetër mishërim i Lionel Mesit, por si shpëtimtarin e futbollit spektakolar, dhe jo rastësisht mban fanelën “blaugrana”.
Lamin Jamal është padyshim talenti më I madh I sportit më popullor të botës sot për sot, e ndoshta po kthehet në më të mirin e momentit, ndërsa lumturoi miliona me 3-golëshin e tij të parë në karrierë.
Tregolëshi I parë I tij tek Barcelona u shënua në fitoren 4-1 në “Kamp Nou” ndaj Vijarrealit, në një përballje aspak të lehtë në La Liga.
Jamal vendosi një rekord të klubit dhe një të shekullit. Ai kaloi legjendën Mesi si më I riu që shënon një tregolësh për katalanasit në moshën 18 vjeç, 7 muaj e 15 ditë.
Argjentinasi ia kishte dalë 19 vjeç, 8 muaj e 16 ditë.
Po ashtu, adoleshenti I sotëm u bë më I riu lojtar që shënon një hatrik që nga viti 2000, duke lënë pas një tjetër ish-katalanas, Zhiovani dos Santos.
Siç raporton e përditshmja “Marka”, prej 59 vitesh një futbollist më pak se 19 vjeç nuk kishte shënuar 3 gola në një ndeshje në La Ligë.
Jamal shënoi në minutat 28, 37 e 69.
Pape Geje shkurtoi përkohësisht në 2-1 për Vijarrealin, ndërsa golin e katërt për Barçën e realizoi veterani I sulmit, Robert Levandovski në minutën e parë shtesë.
Kjo ishte dhurata e katalanasve për trajnerin e tyre Hansi Flik që mbushi 100 ndeshje në stol.
Epërsia ishte e madhe, dhe fitorja e merituar. Flitet për një hap tjetër drejt mbrojtjes së titullit kampion, një mision që mbetet shumë I vështirë, si dhe një paralajmërim se kërkohet përmbysja e humbjes 0-4 në Madrid ndaj Atletikos në Kupën e Mbretit.


