Shqipëria rreshtohet krah perëndimit dhe shpall Gardën Revolucionare Islamike të Ajatollahut Ali Kamenei në Iran një organizatë terroriste ashtu si SHBA.
Pas sulmeve të reja në Lindjen e Mesme, kryeministri Edi Rama deklaron se është momenti që terrorizmi të marrë emrin e vërtetë e të ndalohet.
“Shqipëria do të veprojë në përputhje me rrethanat. Ne do ta quajmë Gardën Revolucionare ashtu siç është dhe do ta rendisim atë midis organizatave terroriste, dhe u bëjmë thirrje miqve tanë evropianë të bëjnë të njëjtën gjë. Terrorizmi duhet të emërtohet. Dhe pasi të emërtohet, duhet të ndalet”, tha Rama.
Rama kujton se Shqipëria ka qenë një prej viktimave të regjimit të Iranit, nga sulmi kibernetik 4 vite më parë urdhëruar nga Teherani, kur dhe Tirana Zyrtare mori masën e parë të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me këtë vend.
“Shqipëria është përballur drejtpërdrejt me fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve të tij kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore”, shtoi Rama.
Kryeministri Rama premton se Shqipëria do të qëndrojë e vendosur krah Izraelin, SHBA dhe Presidentit Donald Tramp, BE apo vendeve arabe që kërkojnë paqe dhe do të mbështesë çdo përpjekje për të parandaluar përvetësimin e armëve bërthamore apo ushtarake nga Irani për të nxitur luftë në rajonin e Lindjes së Mesme.


