FBI amerikane ka shkarkuar disa agjentë që punuan për hetimet ndaj presidentit Donald Trump, në lidhje me mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pasi republikani përfundoi mandatin e tij të parë.
Shkarkimet janë pjesë e një spastrimi më të gjerë të personelit nën udhëheqjen e Drejtorit Kash Patel, i emëruar nga Trump i cili, gjatë vitit të kaluar ka larguar dhjetëra punonjës që ose kontribuan në hetimet e presidentit ose që perceptoheshin si jo në përputhje me axhendën e administratës. Departamenti i Drejtësisë është angazhuar në shkarkime të ngjashme të prokurorëve që kur Trump mori detyrën vitin e kaluar.
Sipas Associated Press, raundi i fundit i shkarkimeve përfshinte punonjës që ndihmuan në hetimin e mbajtjes së dokumenteve të klasifikuara nga Trump në resortin e tij në Mar-a-Lago, rast që rezultoi me ndjekje penale.
Sipas prokurorëve, dokumentet e mbajtura të fshehura nga Trump vinin nga Pentagoni dhe CIA dhe kishin të bënin me informacione të klasifikuara në lidhje me programin bërthamor dhe mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara.
Burime thanë për Associated Press se të paktën 10 persona u shkarkuan nga puna. FBI ka shkarkuar gjithashtu agjentë që morën pjesë në një hetim të veçantë mbi përpjekjet e Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ky hetim çoi gjithashtu në akuza penale.
Shoqata e Agjentëve të FBI i dënoi shkarkimet si të paligjshme dhe theksoi se ato rrezikojnë sigurinë kombëtare.


