Drekën e Krishtlindjes, kryeministri Edi Rama e kaloi tek një familje në Laç, e cila prej mëngjesit të 26 nëntorit qëndron në çadër. Kësaj familje kryeministri Edi Rama i premtoi banesë shumë më të mirë nga ajo që kanë pasur, duke ia treguar dhe projektin që e ka përgatitur Turqia për të gjithë zonën e Laçit.
“Do e bëjnë miqtë e Turqisë pjesën e Laçit. 500 shtëpitë që ka thënë presidenti, ka marrë shtëpitë, e kanë bërë shtëpinë tradicionale, këto i kanë marrë si referencë, këto janë projektet e zonës”, tha Rama.
Banesat individuale, nëse do të mbahet premtimi, do të jenë gati në pranverë. Kreu i qeverisë zbuloi se edhe një pjesë e mobilimit të banesave të reja do e mbulojë shteti.
“Shpresa ime është në fillim të pranverës, kjo e Laçit, do mbarojë vitin tjetër”, u shpreh ai.
Qarku i durrësit dhe Tirana janë më të dëmtuara dhe rindërimi do të marrë një kohë më të gjatë.
“Durrësi do të kërkojë më shumë kohë, Tirana edhe më shumë, por brenda 2021 do të mbyllen të gjitha”, tha Rama.
Kreu i qeverisë vizitoi edhe kishën e Shën Mhillit, e cila po ashtu është e dëmtuar nga tërmeti. Pavarësisht kësaj ka strehuar shumë banorë që u prekën nga tërmeti./abcnews.al