Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pati një bisedë telefonike me Donald Trump dhe ekipit të tij negociator, Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Zelensky falënderoi amerikanët për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund luftës dhe për armët që Kievi ka blerë nga Uashingtoni në dimrin më të vështirë në katër vite luftë.
Telefonata erdhi para negociatave të së enjtes në Gjenevë për fundin e konfliktit. Zelensky tha se me Trump dhe përfaqësuesit e tij diskutuan çështjet që do të trajtojnë në takim dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm trepalësh, bashkë me Rusinë, që pritet të mbahet në fillim të marsit.
Pritshmëritë, tha Zelensky, janë që ky takim të krijojë mundësi për t’i çuar bisedimet në nivelin e udhëheqësve dhe këto hapa kanë mbështetjen e Trump.
Uashingtoni po bën presion për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë tashmë në vitin e pestë dhe ka lënë qindra mijëra të vdekur dhe ka shkatërruar pjesë të mëdha territori, veçanërisht në Ukrainën lindore dhe jugore.
Bisedimet, të bazuara në një plan amerikan të zbuluar në fund të vitit të kaluar, janë bllokuar kryesisht për shkak të fatit të Donbasit. Rusia kërkon kontroll të plotë të këtij rajoni, ndërsa Kievi nuk pranon të dorëzojë territor dhe ka kërkuar garanci të forta sigurie nga aleatët.


