Tetë ditë e ndajnë Kosovën nga data fundore e përcaktuar në kushtetutë, për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se një kandidat për president që i takon familjes Jashari çdoherë do t’i përgjigjej me po. Megjithatë, ai thekson se vendimi i takon kryesisë së PDK-së.
“Një kandidature që vjen nga familja Jashari në Kuvend të Kosovë unë do t’i thoja personalisht çdoherë po, por vendimi është i Kryesisë së PDK…. edhe një dialogu që duhet të jetë më përmbajtjesor mes kryeministrit dhe kryetarëve të partive politike në opozitë se si t’i qasemi kësaj teme”, tha deputeti i PDK, Enver Hoxhaj.
Familja Jashari është bërë pjesë e diskutimeve për kreun e ri të shtetit pas një vizitë mesnatën e të dielës të kryeministrit Albin Kurti në shtëpinë e tyre.
Kurti pranoi se kanë biseduar edhe për çështje politike mes tyre.
Fillimi i javës ka qenë i ngarkuar me takime mes Kurtit dhe përfaqësuesve të partive opozitare që nuk kanë deklaruar ende ndonjë emër konkretë duke lënë hapësirë mendimit se mes tyre po shkohet drejt një marrëveshje, madje sipas Kurtit nga bisedimet me ta u kuptua se askush nuk kishte ndonjë zell për të shkuar përsëri në zgjedhje.
Nga krahu tjetër, është presidentja Osmani që ka shprehur ambicien për një mandate të dytë.
Deri më 4 mars 2026 presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet në Kuvend, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme që duhet të shpallen brenda 45 ditëve.


