Gazetari Artur Nura tha se mungesa e pjesëmarrjes masive në protesta e ka shtyrë Berishën drejt përdorimit të dhunës dhe molotovëve për të kompensuar mbështetjen që i mungon.
Sipas tij, pa përfshirjen e qytetarëve jomilitantë, PD nuk mund të vijë në pushtet përmes akteve të dhunshme, ndërsa zgjidhja duhet kërkuar përmes strategjive diplomatike dhe reformimit të partisë. Nura theksoi se organet e drejtësisë duhet të identifikojnë dhe të çojnë para ligjit përgjegjësit për përdorimin e molotovëve.
“Mungesa e pjesëmarrjes masive e ka detyruar Berishën të përdorë dhunën, zhurmën, molotovët për të kompensuar pjesëmarrjen që i mungon. Ato që thuhen, nëse do të thuheshin nga dikush që nuk ka një të shkuar problematike, mund të merrnin një vlerë më bindëse nga qytetarët.
Berisha funksionon vetëm me militantët; me kaq nuk mund ta largojë dot Ramën. Me një dhunë që nuk vjen nga masa, nëse Berisha nuk bind të shkojnë në protesta njerëz jomilitantë, përdorimi i molotovëve nuk e sjell PD-në në pushtet.
Berisha ka qëllimin të bëhet i dëgjuar në Perëndim. Zhurma bën lajmin. Organet e drejtësisë duhet të zgjidhin kush është përgjegjës për përdorimin e tyre dhe t’i dërgojnë përpara ligjit.
Fakti që akuzon për korrupsion qeverinë bind ata që bëjnë lajmin që të vazhdojnë të mos e konsiderojnë. Zgjidhet me strategji diplomatike, kontakte të drejtpërdrejta dhe ndryshimin e PD-së. Militantët i ka të sigurt, por e ka futur në një qorrsokak. Ata që shkojnë aty po mendojnë nesër një vend pune në administratë, një pjesë e tyre, dhe po pakësohen.” / abcnews.al /


