Policia britanike ka thelluar bastisjet në pronat e ish-princit Andrew Mountbatten-Windsor, një ditë pas arrestimit dhe mbajtjes së tij në paraburgim për 11 orë, nën dyshimin për sjellje të pahijshme ndërlidhur me miqësinë e tij me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Bastisja është duke u zhvilluar në shtëpinë e dikurshme të tij me 30 dhoma në parkun afër Kështjellës Windsor, ku Andrew pati jetuar me dekada, deri në fillim të këtij muaji.
Arrestimi i Andrewsit rreth ndërlidhjes me aferën Epstein nxiti të premten reagimin e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili rastin e kualifikoi si turp.
Afera Epstein bëri bujë në botë, pasi në të janë përfshirë shumë emra të botës së politikës, showbizit dhe të fushave tjera.
Përfaqësues të pasurisë së Epsteinit janë pajtuar që të paguajnë deri në 35 milionë dollarë për t’i dhënë zgjidhje padisë kolektive ndaj dy këshilltarëve të abuzuesit seksual, nën dyshimin për ndihmë dhe inkurajim në trafikimin e grave të reja dhe vajzave adoleshente për qëllime seksi.
Në rast se miratohet në gjykata, marrëveshja do t’i japë fund rastit të 2024-s kundër ish-avokatit personal të Epsteinit, Darren Indyke, dhe ish-kontabilistit Richard Kahn.


