Analisti Skënder Minxhozi deklaroi se në Tiranë po shfaqen të njëjtat inate si në kohën e Rambujesë, duke iu referuar debatit rreth Dhomave Speciale. Sipas tij, rruga drejt kësaj gjykate nisi me raportin e Dick Marty-t, i cili u kthye në një narrativë për krime kundër njerëzimit dhe u fokusua te ndjekja e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Minxhozi e cilësoi këtë proces si një skemë gjeopolitike.
“Në Tiranë janë të njëjtat inate që dikur u shfaqën, të njëjtat inate si në Rambuje. Në rastin konkret, është që gjysma e delegacionit shqiptar ka votuar për të gjitha pisllëqet që kishin filtruar Rusia dhe Serbia nga dora e Dick Marty-t. Ishte një eksponent që dihej se çfarë fliste, dihej edhe nga gazetarët. Një histori kaq e ndyrë, ku europarlamentarë e gazetarë iu bindën një fabule të sajuar dhe të pavërtetë.
Po shihja një kronikë në mediat në Kosovë për rrugën deri në Dhomat Speciale; e nisën me raportin e Dick Marty-t, e transformuan nëse kishte bërë UÇK krime kundër njerëzimit, u fokusuan te nervi i zbuluar që nuk merremi me të gjithë, por këta katër burra do t’i varrosim për së gjalli. Kjo është një skemë gjeopolitike.”
Gazetari Artur Nura tha se Millosheviçi u vra për të mos ndëshkuar lidhur me krimet e luftës.
“Historia nuk ka nisur me Dick Marty, por ka nisur me ish-kryetarin e gjykatës për krime. Të gjitha gjasat janë që Millosheviçi u vra për të mos ndëshkuar.”
/ abcnews.al /


