Skendër Reçica, ish-këshilltar i Jakup Krasniqi, deklaroi se Kosova u përball me krijimin e një gjykate të tillë me vetëdijen e plotë për pastërtinë e luftës dhe angazhimit të udhëheqësve të saj ndër vite.
Ai theksoi se procesi gjyqësor është ndërtuar pa fakte dhe se mbrojtja i ka kundërshtuar në mënyrë profesionale të gjitha pretendimet. Sipas tij, mesazhi nga Prishtina është që në ditën e aktgjykimit të vendoset drejtësi dhe jo politikë, pasi shtetësia dhe pavarësia e Kosovës nuk mund të gjykohen.
“Kosova u ballafaqua para 5 vitesh me krijimin e një gjykate të tillë, meqenëse krerët e UÇK-së dhe krerët e themelimit të shtetit, të vetëdijshëm për pastërtinë e angazhimit të tyre me dekada, i thanë po kësaj kërkese. Që nga paraburgimi ne kemi parë që është ndërtuar një proces pa fakte. Mbrojtja në mënyrë profesionale i ka kundërargumentuar. Sot mesazhi nga Prishtina ishte drejtësi dhe jo politikë.
Ky mesazh i mbështetësve të dëgjohet nga trupi gjykues dhe në ditën e aktgjykimit të vendoset drejtësi dhe jo politikë. Konsideroj se vetë akti i krijimit të kësaj gjykate duhet të hidhet poshtë, pasi kjo gjykatë pa argumente po ndërton një narrativë duke përdhosur luftën. Lufta kulmoi me aktin e shpalljes së pavarësisë dhe u mbështet edhe nga ndërkombëtarët.
Lufta e lavdishme e Kosovës në kohë gjeti mbështetje nga aktorë ndërkombëtarë, NATO, shtete të fuqishme, dhe pas kaq vitesh të përlyhet kjo luftë nuk është e drejtë. Shtetësia dhe pavarësia e Kosovës nuk gjykohet.”


