Në një intervistë në “Newsroom” në ABC News, eksperti i Sigurisë Xhavit Shala dhe ish-pjesëtari i UÇK Zafir Berisha folën për gjyqin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së për të cilët Prokuroria dha pretencën për 45 vite burg për secilin.
Eksperti Shala deklaroi se ka pasur tendenca për të njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke nënvizuar se qëllimi kryesor ishte njollosja e shtetit të Kosovës.
Më tej theksoi se “Dick Marty” sipas tij ishte në ndikimin e inteligjencës Ruse dhe se merrte direktiva nga Serbia e Rusia dhe se kanë shpifur edhe kundër UÇK.
“Ka qenë tendenca për të njollosur Ushtrinë Çlirimtare dhe synimi ishte të njolloste shtetin e Kosovës”, tha ai.
“Gjykata u krijua në 2015 dhe ka një element se çfarë u synua. BE synoi t’i jepte një mesazh serbe që ne jemi të paanshëm dhe do gjykohet edhe pala tjetër. Dhe nuk u quajt me statusin e një gjykate ndërkombëtare teorikisht, por faktikisht. Objekti ishte shumë i përcaktuar dhe dukej që ishte edhe pjesë politike. Shtetarët e Kosovës duhet të jepnin mesazhin që Kosova ka kaluar nga një shteti i luftës në një shtet të së drejtës dhe në këtë kuadër u krijua. Por sërish pavarësisht se si janë gjërat, unë mendoj se nuk duhet ta sulmojmë gjykatën, por ka rezerva të mëdha për Prokurorinë sepse ka bërë një selektim dhe gjithë dëshmitarët ia kanë gjetur shërbimet sekrete serbe. Unë jam i sigurt që pjesa më e konsiderueshme e dëshmitarëve do të bie poshtë”, tha ai.
Gjatë intervistës, Zafir Berisha u shpreh se kërkesa e prokurorisë ishte e dukshme që kishte politik.
Më tej theksoi se po synojnë të barazojnë luftën për liri me gjenocidin e Serbisë.
“Kjo gjykatë do të barazojë luftën gjenocidale të Serbisë. Por kjo është e pamundur sepse nuk mund t’ja atribuosh ushtrisë Çlirimtare. Kjo tendencë u pa edhe me fjalën përfundimtare të prokurorit që është politike. Prokuroria ka treguar sjellje shumë qesharake”, tha ai.


