Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Migjeni, kontribut edhe në sport/ Kolosi i letrave shqipe nuk u mjaftua në Pukë vetëm me mësimdhënien

schedule20:44 - 14 Shkurt, 2026

schedule 20:44 - 14 Shkurt, 2026

Pak e dinë se përtej vargjeve të fuqishme dhe revoltës letrare, Migjeni ka lënë gjurmë edhe në një tjetër fushë: futbollin. Kur erdhi si mësues në Pukë, një qytet i vogël i veriut, ai nuk u mjaftua vetëm me misionin arsimor, por mendoi të sillte edhe frymën e sportit mes të rinjve.

“Migjeni erdhi si mësues në Pukë. Ishte një qytet i vogël, por ai mendoi të krijonte edhe një skuadër futbolli. Më 6 mars 1936 mblodhi disa të rinj dhe disa më të vjetër, bisedoi me ta dhe tha: do të krijojmë klubin e futbollit në Pukë.”

Kështu, në një kohë kur sporti ishte ende i pazhvilluar në zona të vogla, lindi futbolli pukjan. Merita për këtë hap të guximshëm i atribuohet pikërisht Migjenit, i cili nuk hezitoi të kërkonte ndihmë edhe jashtë qytetit.



“Përveçse gjeni i letrave shqipe, Migjeni krijoi edhe ekipin e futbollit. Fusha e vjetër ishte dikur në një tjetër zonë dhe më pas u zhvendos pranë xhamisë. Ai arriti të merrte disa lojtarë nga akademia e Vllaznisë së Shkodrës. Portieri i parë i Pukës ka qenë nga Shkodra.”

Vitet kaluan dhe futbolli u kthye në pasion për banorët e Pukës, duke nxjerrë emra që sot përmenden me respekt.

“Sot për sot, futbollisti më i vjetër në Pukë është Bislim Daci, që ka luajtur që nga viti 1970. Ka pasur edhe futbollistë që kanë humbur jetën, si Sami Pruti që ka luajtur në vitet 1964–1968. Puka e ka dashur shumë futbollin. Zef Lazi dhe shumë të tjerë që sot nuk jetojnë më.”

Historia e futbollit pukjan është dokumentuar edhe nga njerëz që e kanë ndjekur sportin jo vetëm si tifozë, por edhe si gazetarë, siç është Gani Pema.

“Si gazetar sportiv, në vitin 2005 më lindi ideja të shkruaja historikun e futbollit pukjan, bashkë me futbollistë si Zef Shabani dhe Mark Vata, që sot jetojnë në Pukë. Futbollin e kam ndjekur që në fëmijëri, sepse të afërmit e mi kanë qenë futbollistë.”

Edhe pse jeta e ka larguar fizikisht nga qyteti, lidhja e Gani Pemës me futbollin dhe Pukën ka mbetur e pandashme.

“Për shkak të disa rrethanave familjare u zhvendosa në Durrës, por miqtë më thoshin: ‘Na duhesh në Pukë’. Lidhja me futbollin dhe me ekipin më ka mbajtur gjallë. Vij gjithmonë në Pukë dhe do ta ndjek ekipin, edhe pse sot është në kategorinë e dytë.”

Nga Migjeni i viteve ’30, te brezat e futbollistëve që lanë gjurmë në fushë, historia e futbollit pukjan mbetet një histori, që vazhdon të jetojë edhe sot, pavarësisht vështirësive.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!