I lindur dhe i rritur në emigrim, por me rrënjë të forta shqiptare, Marsel Meta, 17 vjeç, po lë gjurmë me talentin e tij si instrumentist. Të riun e gjejmë mes instrumentistëve mirditorë, gjatë përgatitjeve për një koncert që pritet të mbahet në ditët në vijim.
Marseli është një nga ata të rinj që muzika nuk e kufizon në një instrument të vetëm. Ai përdor thuajse të gjitha veglat muzikore, nga ato klasike deri te lahuta – instrumenti emblemë i kulturës shqiptare, tashmë i mbrojtur edhe nga UNESCO.
“Jam 17 vjeç, i lindur dhe i rritur në Itali. Karrierën muzikore e kam nisur që 8–9 vjeç. Në shkollë na dhanë një letër për të zgjedhur një instrument dhe unë fillova me klarinetë. Provova edhe violinën, por u ktheva te klarineta. Aty nisi pasioni për veglat muzikore.”
Nga klarineta, Marseli kalon te fyelli, më pas te çiftelia dhe lahuta, ndërsa sot studion edhe piano e saksofon. Një rrugëtim që për një adoleshent nuk është i zakonshëm, por që tregon këmbëngulje dhe dashuri të rrallë për muzikën.
Ai studion në Liceun Muzikor në Itali, ku ndjek disa disiplina muzikore dhe është pjesë e orkestrës së shkollës.
“Studioj në liceun muzikor në Itali. Kur unë i bie lahutës atje, njerëzit befasohen, sepse është vegël shumë e rrallë dhe nuk e kanë parë kurrë. Habiten sidomos nga tingulli që prodhon.”
Për Marselin, lahuta nuk është thjesht një instrument, por një mision për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore shqiptare.
“Shpresoj dhe mendoj të bëhem artist i madh, që ta ngre imazhin e lahutës sa më lart. Fatkeqësisht, lahuta po humbet dhe mjeshtrat e mëdhenj nuk i bien më si dikur.”
Në këtë rrugëtim, Marseli ndjehet i mbështetur edhe nga mjeshtrat e muzikës tradicionale shqiptare, veçanërisht nga Ansambli i Mirditës.
“Ndihem shumë i mbështetur nga Zef Gjonaj, mjeshtër në Ansamblin e Mirditës. Lahuta është pjesë e UNESCO-s dhe kjo është një arritje e madhe për ne shqiptarët. Jam gëzuar shumë.”
Përveç muzikës tradicionale, i riu është aktiv edhe në muzikën klasike, duke performuar në teatro dhe evente të ndryshme në Itali.
“Në shkollë jemi të gjithë pjesë e orkestrës. Performojmë në teatro dhe evente në Bari. Luajmë muzikë klasike. Unë performoj me klarinetë, ndërsa të tjerët me instrumente të ndryshme.”
Talenti i tij nuk ka kaluar pa u vënë re as nga mjeshtrat e muzikës tradicionale.
“Unë nuk i jam ndarë kurrë lahutës. Këto ditë vura kontakt me Marselin, një djalë i rritur në Itali, por që u bie shumë mirë instrumenteve, sidomos lahutës. Me Ansamblin e Mirditës e kemi thirrur të realizojmë një këngë, ku do të jetë prezent me bilbil, çifteli dhe lahutë. Ky djalë i ri mund të kontribuojë shumë.”
Marsel Meta mbetet një shembull i qartë se si brezi i ri, edhe i rritur larg atdheut, mund të mbajë gjallë identitetin kulturor shqiptar, duke i dhënë lahutës një zë të ri në skenat evropiane.


