Ish diplomati Syle Ukshini ka akuzuar Prokurorinë e Hagës për përpjekje për të kriminalizuar luftën çlirimtare, duke e cilësuar narrativën e saj si mbrojtëse të strukturës së Millosheviçit. Sipas tij, qasja e prokurorisë përbën fyerje për familjet shqiptare që kanë përjetuar dhunë, djegie dhe shkatërrime ndër dekada. Ukshini e cilësoi qëndrimin e saj si armiqësor dhe me elementë albanofobie.
“Duket qartë intenca për të kriminalizuar një luftë vetëmbrojtjeje, luftë çlirimtare. Në narrativën që po pretendon të mbrojë Prokuroria e Hagës është një narrativë që mbron strukturën e Millosheviçit. Ata qartë e thonë çfarë ka bërë Serbia dhe ishte një lloj nazizmi serb. Çfarë drejtësie jep duke e përmbysur?
Një popull që ka qenë 90 për qind i dënuar, i djegur, i shkatërruar, kthehet dhe gjen çdo gjë të rrënuar; thua të duartrokasë dhe t’u thotë serbëve bravo çfarë keni bërë.
Po nëse atyre prokurorëve do t’u kishin bërë krimet që kanë bërë serbët, si do të vepronin? Sjellja e prokurorisë është fyerje për familjet. Më dhemb më së shumti se kjo dhunë është standarde për shqiptarët; ka qenë prezente që në 1912.
Për një shekull janë djegur. Familje të tëra i janë rrënuar dhe djegur shtëpitë. Kur e dëgjon prokurorinë duket sikur po dëgjon prokurorë serbë. Kur e dëgjon prokurorinë thotë se ne i dimë gjërat, por atyre që kanë qenë dëshmitarë dhe kanë parë vuajtjet, u thua që këta nuk kanë qenë të informuar. Qëndrimi i tyre është armiqësor, vetë konstrukti i gjykatës ka të bëjë me një albanofobi.” / abcnews.al /


